Komuniteti RAE më i diskriminuari, bëhet apel për ngritje të vetëdijesimit

Prishtinë | 20 Nën 2018 | 11:04 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Koalicioni “Të drejtat e barabarta për të gjithë (ERAC)” ka prezantuar raportin “Programet e trajnimit për nëpunës civilë dhe ngritja e kapaciteteve të tyre për të drejtat e komuniteteve dhe kundër diskriminimit në Kosovë”.

Enver Haxhijaj, drejtor i Drejtoratit të Trajnimeve, Instituti i Kosovës për Administratë Publike, tha se komuniteti RAE del si komuniteti më i diskriminuari nga të gjitha komunitetet tjera.

“Trajnimi i nëpunësve civil për të përkrahur politikat publike është prioritet i joni dhe i qeverisë dhe në ketë drejtim raporti e ka përcaktuar qartë se në cilin drejtim duhet të drejtohet korrikula jonë. Institucionet publike e kanë mandatin që të bëjnë punë sistematike në mbrojtjen e të drejtave të njeriut duke përmirësuar kapacitetet dhe infrastrukturën. Komuniteti RAE,  del në një masë të lartë të pabarazisë se të gjitha komunitetet tjera. Kapaciteti financiar është një nga mangësitë tona si organizatë”, ka thënë Haxhijaj, raporton Ekonomia Online.

Menaxherja e projektit “Koalicioni të drejtat e Barabarta për gjithë (ERAC)”, ECMI Kosova, tha se raporti ka për qëllim të përshkruaj masat e ndërmarra nga Qeveria për diskriminimin etnik.

“Raporti i bërë në kuadër të koalicionit është raport i tretë që është bërë me qellim të analizimit të programeve të trajnimit. Qëllimi i këtij raporti është t’i përshkruaj masat legjislative të ndërmarra nga Qeveria për të adresuar diskriminimin etnik. Ky raport do të adresoj mungesën e trajnimeve për nëpunësit civil si dhe do të shpjegoj që diskriminimi është ende tejet i theksuar”, tha ajo.

Arben Sejdaj, prezantues i raportit “Programet e trajnimit për nëpunës civilë dhe ngritja e kapaciteteve të tyre, për të drejtat e komuniteteve dhe kundër diskriminimit në Kosovë”, tha se duhet të merren hapa konkret për të mbështetur iniciativa që rrisin vetëdijen dhe trajnimet në fushën e të drejtave të njeriut dhe komuniteteve pakicë.

“Jemi fokusuar në gjyqësor sepse është një prej mekanizmave që i trajnon gjyqtarët dhe prokurorët qe merren me çështje  të komuniteteve. Ka mekanizma të ndryshme për mbrojtje e të drejtave të komuniteteve. Institucionet ekzistojnë si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal, që merren me çështje të mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve. Zyra për qeverisje të mirë organizon trajnime, nuk ka ndonjë program të caktuar mirëpo organizon më shpesh aktivitete”, ka thënë ai.

“ Problemi është se nuk ka kërkesa për trajnime nga zyrtarë. IKAP, nuk ka resurse të mjaftueshme për të organizuar më shumë trajnime. Institucion tjetër që organizon trajnime është edhe Avokati i popullit mirëpo bëhen vetëm për institucion të tyre. Nuk ekzistojnë programe të trajnimeve për të drejtat e komuniteteve në asnjë institucion”, tha ai.

Të ngjashme