Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike sot e ka vizituar grupi i nxënësve dhe mësuesve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe nga Kroacia, raporton Ekonomia Online.
Ata në këtë ministri u priten nga zv. ministri i kësaj ministrie Isni Kilaj. Ai u uroi atyre mirëseardhje dhe i falënderoi për vizitën që po e bëjnë në Kosovë.
“Ju falënderoj për vizitën që po ua bëni vendlindjes suaj, vendlindjes së familjes suaj. Jemi shumë të lumtur që vini me pa Kosovën, njërin nga shtetet më të reja në botë. Një vend me një popull të mrekullueshëm, por shqiptarët kanë pasë një histori jo të lehtë dhe një pjesë e madhe e kombit tonë, duke ju përfshi edhe ju jetojnë gjithandej botës”, tha ai.
Kilaj e lavdëroi punën e komunitetit shqiptar në Kroaci, duke thënë se ky komunitet është mjaft i konsoliduar dhe tashmë i përfaqësuar edhe në Parlamentin kroat.
“Në Kroaci shqiptarët janë shumë mirë të organizuar, ndoshta një prej vendeve ku e kemi mërgatën më te mirë të organizuar është “Unioni i Shoqatave” në Kroaci. Ka shoqata të tjera si “Intelektualët e Pavarur”, të cilat kanë bë që shqiptarët të kenë edhe përfaqësuesin e tyre, në Parlamentin Kroat”, tha Kilaj.
Merita Hoxha në emër të shoqatave shqiptare në Kroaci e falënderoi Ministrinë e Diasporës për pritjen.
“Dëshiroj t’ju falënderoj për bashkëpunimin e mirë që ka Ministria e Diasporës, me shoqatat e tona. Mund të them se bashkëpunimi ynë është jo i mirë, po shumë i mirë, sa që rezultati i kësaj shihet sot” theksoi ajo Merita Hoxha.
Kjo vizitë u bë në kuadër të ekskursionit mësimor-njohës në Kosovë e Shqipëri.