Konfindustria, në kuadër të Paketës Fiskale 2019, ka përgatitur dhe do ti paraqesë zyrtarisht Ministrisë së Financave listën e propozimeve të saj. Dy janë kërkesat kryesore:
Së pari, që tatimi i dividentit për kategorinë e bizneseve, që punojnë ne kushtet e tregjeve të hapura, të jetë e barabartë me zero. Për bizneset, që punojnë në kushtet e tregjeve të mbyllura, koncesione, PPP, licenca shtetërore, etj dhe si rrjedhim kanë shkallë të ulët konkurence, masa e dividentit të jetë e shkallëzuar në rritje, varësisht vlerës absolute të fitimit.
Konfindustria vlerëson, se në rast, se tatimi i dividentit ulet për të gjithë kategoritë e bizneseve në të njëjtën masë prej 8% të propozuar nga ekzekutivi praktikisht, ligji do të ketë vlerë vetëm për kompanitë e tregjeve të mbyllura me akte ligjore, PPP, koncesione, etj., që kanë norma të larta fitimi për shkak të mungesës së konkurencës dhe dhënies së të drejtave natyrore nga shteti. Në një pjesë të madhe kompanitë, që punojnë në kushte të tregjeve të mbyllura dhe të privelegjuara me ligj, janë me kapital të huaj dhe transferojnë pjesën e fitimeve të tyre jashtë vendit.
Së dyti, Konfindustria kërkon, që si pjesë e rëndësishme e Paketës Fiskale 2019, të parashikohet ulja në vlerën zero e tatimit për fitimin e riinvestuar nga bizneset. Masa e mësipërme, që është në fuqi pothuajse nga të gjitha vendet e Rajonit, është e domosdoshme për të nxitur realisht rritjen e investimeve dhe rritjen e fuqisë konkuruese të vendit.