Në dy ditët e fundit, në zonën e përgjegjësisë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë, në dy lokacione të ndryshme janë konfiskuar dy armë.
Rasti i parë i konfiskimit të një pushke automatike ndërlidhet me informacionin e pranuar ditë më parë se i dyshuari F. B. 28 vjeçar posedonte armë pa leje, ku pas një hetimi të mirëfilltë me datën 29 shtator 2018, i dyshuari ka vetëdorëzuar armën.
Ndërsa rasti i dytë i konfiskimit të një pistolete është raportuar në orët e pasdites së datës 30 shtator 2018, në zonën e Vushtrrisë, ku pas informacionit të pranuar për të shtëna me armë zjarri, njësitet policore kanë identifikuar lokacionin dhe kanë arrestuar të dyshuarin G. K., 43 vjeçar, i cili dyshohet se ka shtënë me armë në një aheng familjar, nga i njëjti është konfiskuar një armë të llojit pistoletë.
Dy personat e dyshuar pas procedurave intervistuese janë liruar për procedurë të rregullt.
Ndaj tyre janë iniciuar raste për veprat penale ‘armëmbajtje pa leje’ dhe ‘përdorim i armës”.