Konjufca: Në fund të marsit formohet qeveria, në prill zgjidhet presidenti

Prishtinë | 11 Mar 2021 | 08:21 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca një ditë më parë në një intervistë në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com, me kryeredaktorin, Muhamet Hajrullahu, ka folur për rezultatin zgjedhor të këtij subjekti politik,  për numrat për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit, për datat se kur do të formohen këto institucione, qëndrimin e partisë për çështjen e dialogut dhe Ambasadën e Kosovës në Izrael.

Ish shefi i diplomacisë, Konjufca ka deklaruar se Qeveria Kurti 2 do të formohet deri më datë 25 mars, e sipas tij do të ketë më së paku 64 vota.

Kurse për zgjedhjen e Presidentit të vendit ai u shpreh se do të ndodhë menjëherë pas formimit të Qeverisë, saktësisht sipas tij deri më datë 10 prill.

“Unë mendoj që qysh tash kur po flasim, numrat janë. Unë mendoj që minimumi i numrave për zgjedhjen e Qeverisë Kurti do të jetë 64-65. Kjo është minimumi. Deri tash nuk ka diskutime me parti të tjera”, tha Konjufca.

Konjufca u shpreh se pas konstituimit të Kuvendit  do të bëhet zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, kryeministrit dhe kabinetit qeveritar. Pastaj, pas mbledhjes së parë të Qeverisë, kalohet në seancën e Kuvendit, e cila është zgjedhja e Presidentit.

“Unë mendoj që deri më 25 mars do të zgjedhet Qeveria e Kosovës. Kurse, konsideroj se deri më 10 prill do të zgjedhet edhe Presidenti i Kosovës”, u shpreh Konjufca.

“Zgjedhja e Presidentit ka koincidu në aspektin kohor me zgjedhjet parlamentare. Meqenëse është e tillë, zgjedhja e presidentit si pozitë e rëndësishme shtetërore, prej anës të opozitës, janë dy opsione: Opsioni që ta konsiderojnë presidentin si njërën prej pozitave të cilën ne mund ta zgjedhim edhe të kalojmë në faza të tjera të betejës politike, apo ta kthejë opozita çështjen e presidentit në pikë ekzistenciale. Sepse me qu Kosovën në zgjedhje të reja, është pikë ekzistenciale e betejës politike”, u shpreh Konjufca.

Konjufca tha se “nëse nuk kalon (zgjedhja e Presidenti), Kosova shkon në zgjedhje”.

Ai tha mes tjerash ka thënë se në Qeverinë Kurti 2 janë duke u finalizuar edhe emrat e kabinetit Qeveritar dhe se Albin Kurti si kryeministër do të veprojë më njerëz profesionalë dhe të përgjegjshëm.

Konjufca ka thënë se fitorja e Vetëvendosjes duhet të merret me shumë modesti dhe nuk ka shumë hapësira për festë.

“Problemet në drejtësi, arsim si dhe ekonomi nuk na lënë vend për me u mburrë dhe me pranua këtë fitore me “fodullëk”. Ne duhet të jemi në nivel të përgjegjësisë dhe të kuptojmë thellësinë e problemeve reale që kemi. Zgjidhja e këtyre problemeve nuk është aspak e lehtë për Vetëvendosjen”.

Njeriu i dytë më i votuar në Kosovë në zgjedhjet e 14 shkurtit thotë se dikush tjetër një fitore të tillë do të kishte shfrytëzuar për të fituar tenderë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme