Konjufca: Në themelin e lirisë sonë është gjaku i familjarëve dhe fëmijëve të familjeve Bogujevci e Duriqi

Prishtinë | 28 Mar 2021 | 19:24 | Nga Ekonomia Online

U.d. Presidenti i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bashkë me presidenten në ardhje Vjosa Osmani, kryetarin e komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, dhe me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kanë bërë homazhe dhe kanë përkujtuar masakrën e tmerrshme të 28 marsit të vitit ‘99 ndaj familjeve Bogujevci e Duriqi.

“Kjo është më e pakta që mund të bëjmë ne si përfaqësues të institucioneve, për shkak se është obligim elementar përkujtimi që ta kryejmë këtë pjesën e ndarjes së pikëllimit pikërisht në datat kur kanë ndodhur këto masakra në Kosovë, edhe familjes Duriqi, edhe familjes Bogujevci më 28 mars të vitit 1999, prej njësive të quajtura “Shkorpionët”, të cilat ishin pjesë e drejtpërdrejtë e Ministrisë së Mbrojtjes të shtetit të Serbisë. Prandaj këtu nuk ka asnjë dilemë se kush e ka përgjegjësinë. Në rastin tuaj është drejtpërdrejtë shteti i Serbisë me njësite, me emra, kush kanë qenë në ato njësite të cilët i kanë kryer masakrat ndaj familjes suaj”, ka thënë u.d. presidenti Konjufca.

Sipas, u.d. presidentit Konjufca kjo është më e pakta që mund të bëjnë institucionet, pjesa tjetër i mbetet drejtësisë.

“Ajo që ka pretenduar Serbia se kinse po i gjykon disa kriminelë të luftës, ka qenë vetëm sa për sy e faqe. Ata bile, edhe u patën liruar para nja 3-4 viteve. Kjo tregon se shteti serb jo vetëm që nuk ndjenë kurrfarë pendese për atë që e ka bërë, por i trajton këto sikur thuajse të ishin disa krime kështu ordinere, të përditshmërisë, e jo masakra. Pra, vetëm shikojeni aty është Albioni dy vjeçar, çfarë krimi i përbindshëm, cili njeri mund ta bëj këtë krim që të ngrejë dorë kundër një fëmijë dy vjeçar. Të tillë janë më shumë se 1000 fëmijë të vrarë prej forcave policore, ushtarake, paramilitare të Serbisë në Kosovë”, ka theksuar u.d Presidenti.

Ai më tej ka thënë se pikërisht për shkak të kësaj dhe të këtij pikëllimi, institucionet janë të vendosura që ta kërkojnë drejtësinë pa pushim.

“Për arsye se, shpirtrat tuaj, zemrat tuaja, por edhe martirët që i kemi humbë do të mund të prehehen të qetë vetëm atëherë kur drejtësia të vijë në vend”, ka potencuar u.d. Presidenti.

U.d. Presidenti Konjufca ka thënë se kurrë nuk do të harrohen krimet e Serbisë dhe gjenocidi.

“Kjo është një masakër ku shumica e të vrarëve janë fëmijë dhe gra, dhe kjo tregon për mizorinë e pashembullt të shtetit serb dhe përmasat e gjenocidit që ka bërë ndaj popullit tonë, ndaj kombit tonë duke mos i kursyer as foshnjet, as fëmijët , as gratë, as pleqtë”, ka thënë ai.

Z.Konjufca ka thënë se kjo na bënë edhe më të vendosur si institucione që të themi se kurrë nuk do të bëjmë kompromis në atë që është në themelin e shtetësisë dhe lirisë sonë.

“Në themelin e lirisë sonë është gjaku i familjarëve tuaj, gjaku i fëmijëve tuaj, të cilët i ka humbur Kosova për shkak të gjenocidit të Serbisë”, ka theksuar u.d. Presidenti Konjufca.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme