Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se po të mos ishte Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, veriu i Kosovës do të përfundonte në negociata, sidomos pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet kosovare, raporton Ekonomia Online.
Kreu i Kuvendit ka thënë se Kosova i ka pasur dy opsione, shtrirjen e sovraniteti dhe integritetit në atë pjesë dhe dorëzimin. Sipas tij, Kosova do të përfundonte shumë keq nëse pas dhunës, pas kushtëzimeve dhe pas imponimeve veriu i Kosovës do të përfundonte në negociata, duke theksuar se kjo nuk ka qenë opsion për Lëvizjen Vetëvendosje dhe për qeverisjen e saj.
“Juve ju kujtohet, ishte një bojkotim i orkestruar prej anës së policëve, kryetarëve të komunave edhe Kosova ishte para dy opsione. Unë jam i sigurt që po të kishte qenë opsioni i vjetër politik në Kosovë, do të kishim përfunduar në negociata, por kjo nuk ka qenë opsioni jonë, opsioni jonë është kushtetutshmëria me çdo kusht, qoftë edhe përmes përdorimit të organeve të sundimit të ligjit për të vendosur atje rendin dhe ligjin. Kosova do të përfundonte shumë keq nëse pas dhunës, pas kushtëzimeve dhe pas imponimeve, veriu i Kosovës do të përfundonte në negociata. Kjo nuk ka qenë opsion për Lëvizjen Vetëvendosje dhe për qeverisjen e Kosovës”, ka thënë Konjufca, teksa ka reaguar edhe ndaj konferencës për shtyp të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq për “masat” ndaj Kosovës.
Konjufca shtoi se kërkesat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe diçka që nuk ekziston më. Sipas tij, konferenca të tilla nuk i bëjnë përshtypje.
“Tash Vuçiqi po tenton t’i ruaj ato, me i ruajt ato që nuk i ka më edhe faktikisht po kërcënon Republikën e Kosovës përmes konferencës së tij për shtyp, mirëpo ky është një kërcenim i cili me thënë të drejtën nuk na bën shumë përshtypje. Ne nuk frikësohemi, nuk shqetësohemi sepse në atë pjesë të vendit janë institucionet e Kosovës, janë institucionet e sigurisë, janë institucionet politike, janë komunat që funksionojnë edhe është shansa e humbur e qytetarëve që kanë mendime të tjera për me marr pjesë në procesin politik edhe me dashtë me qenë bashkëpjesëmarrës në procesin politik. Pas kësaj që ka ndodhur, vendi e ka marrë një drejtim të ri”, u shpreh Konjufca.
Sipas tij procesi i largimit të strukturave paralele ka qenë i domosdoshëm për konsolidimin e kushtetutshmërisë dhe shtetësisë së Kosovës dhe sovranitetit në veri.
“Të gjitha që i bëri janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe diçka e cila nuk ekziston më. Pra strukturat paralele tash gradualisht janë hequr prej Kosovës, po vazhdon të hiqen edhe sot e kësaj dite kur po flasim, mirëpo ajo substanca e tyre tashmë është hequr, kanë mbetur edhe disa të tjera, mirëpo në vazhdimësi nuk kemi të ngutemi shumë, është në rrugë të mbarë ky proces edhe ky proces ka qenë i domosdoshëm për konsolidimin e kushtetutshmërisë dhe të shtetësisë së Kosovës. Ky është drejtimi ynë”, ka deklaruar Konjufca.
Tutje, Konjufca ka folur edhe për ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Speciale për rastin Banjska. Konjufca ka thënë se me këtë aktakuzë Prokuroria ka goditur në shenjë. Javën që shkoi i kritikoi ata duke e përmendur vonesën për ngritjen e aktakuzës.
“Në kuptimin profesional s’më lejohet të flasë se s’jam i fushës dhe se përfaqësojë gjyqësinë, por Parlamentin e Kosovës por nga kuptimi politik është aktakuzë që mendoj se për nga definicioni i çështjeve që i ka ngritur ka goditur në shenjë. Synimi i grupit terrorist ka qenë aneksimi i një pjese të Kosovës, me këtë pretendim ka pas edhe njerëz që kanë bërë shaka, por kjo s’është shaka është e vërtetë”, ka thënë Konjufca.
Tutje, ai ka folur për segmente të caktuara të aktakuzës duke i veçuar tri.
“Grupi terrorist ka pas mbështetje të plotë të Serbisë. Pra e para aneksimi, e dyta qëndrimi prapa i Serbisë dhe e treta e katërta janë tentimi për të shkatërruar rendin kushtetues. Aty ishte shumë mirë e argumentuar aspekti i kriminalitetit shumë të madh financiar që ka bërë ky grup terrorist duke shpërndarë para dhe duke vendosur këto para e keqpërdorime të tenderëve për funksionalizimin e këtij grupi terrorist” ka thënë ai.
Por, përsëri ka përmendur vonesat në përpilimin e aktakuzës duke kërkuar që të mos ketë “ngadalësim”.
“Mendoj se tash çka nevojitet është të mos kemi atë ngadalësimin që e pamë në përpilimin e aktakuzës, të mos e kemi edhe në zhvillimin e procedurave gjyqësore duke qenë se të pandehurit posedonin dokumente të shëndetësisë së Kosovës”, ka shtuar Konjufca.