Konjufca pret eurodeputetin Riho Terras, kërkon vëmendje për aplikimin e Kosovës në BE

Prishtinë | 07 Kor 2026 | 12:17 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim eurodeputetin Riho Terras, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në vend, procesin e formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare, si dhe integrimin evropian dhe euroatlantik të Kosovës.

Sipas njoftimit, Konjufca ka vlerësuar mbështetjen që Parlamenti Evropian i ka dhënë aspiratave evropiane të Kosovës, duke shprehur mirënjohje për angazhimin e Terrasit.

“Zëvendëskryeministri Konjufca vlerësoi rolin e Parlamentit Evropian në mbështetjen e aspiratave evropiane të Kosovës dhe e falënderoi z. Terras për angazhimin e tij në raport me zhvillimet në vendin tonë”, thuhet në njoftim.

Gjatë takimit, Konjufca theksoi se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimi Evropian duhet të marrë vëmendjen e duhur, në mënyrë që vendi të avancojë drejt statusit të kandidatit dhe hapjes së negociatave për anëtarësim.

“Ai theksoi rëndësinë që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian të marrë vëmendjen e merituar, duke i hapur rrugë avancimit drejt statusit të vendit kandidat dhe negociatave për anëtarësim”, thuhet më tej.

Në njoftim ritheksohet përkushtimi i institucioneve të Kosovës për të vazhduar rrugën drejt integrimit evropian.

“Republika e Kosovës mbetet e angazhuar maksimalisht për avancimin e rrugës evropiane, thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Bashkimit Evropian dhe përmbushjen e hapave të nevojshëm drejt integrimit të plotë në BE”, thotë njoftimi.

Të ngjashme