Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme lidhur me gjendjen në Telekomin e Kosovës dhe masat që i ka ndërmarrë Qeveria për zbatimin e Rezolutës lidhur me gjendjen financiare në Telekom dhe Postën e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se falimentimi i Telekomit është shkatërrim i qëllimshëm dhe skenar me paramendim.
“Telekomi është në buzë të falimentimit. Nuk është bankrotim spontan, është shkatërrim i qëllimshëm dhe skenar me paramendim. Autorët e këtij krimi të autorizuar janë akterët e pushtetit me pronarët e Dardafonit. Protagonistët në pushtet ishte kryeministrit i viti 2009, Hashim Thaçi, biznesmenët janë grupi “Devolli” dhe partia orkestruese padyshim është PDK e z.Veselit. Pushtetarët kanë vendosë deri në cilën pjesë të vendosën antenat për vjedhjen e qirasë. Zhvatjet përmes tenderëve dhe zhvatjet e parasë e kanë shtri Telekomin përtokë”, ka thënë Konjufca.
…Kjo nuk ka lidhje me ekonominë e tregut. Ajo që spikat është kontrata mes Telekomit dhe Dardafonit në 2009 kur të ardhurat e PDK-së ishin në kulmin e vet. Telekomi ia jep Dardafonit infrastrukturën kurse Dardafoni ka përfitime 73 për qind. Një operatori privat i falen qindra miliona euro të qytetarëve”.
Ai tha se këto shkelje janë të pafalshme dhe duhet të ndëshkohen.
“Në Kosovë Z-mobile e ka ngrënë dhe është duke e ngrënë Telekomin. Ia ka marrë klientët me metoda jokonvencionale, me oferta pa limit jashtë logjikës së tregut. Kjo është shkelje e pafalshme e cila duhet të ndëshkohet. Sikur të mos mjaftonte kjo Z-mobile e paditi Telekomin në Abitrazh. Arbitrazhi vendosi në favor të Z-mobile dhe unë mendoj se kjo lëndë është humbur qëllimisht.
Ai paraqiti tre hapa mbi të cilët tha se duhet të krijohet edhe një rezolutë.
“Për ta shpëtuar Telekomin nga bankrotimi duhet të ndërmerren tre hapa: Qeveria ta zbatojë një rezolutë në fuqi që është miratuar prej shumicës së juaj në korrik të viti të kaluar, hapi i dytë mosnjohja e kurrfarë borxhi të Kosovës nga qeveria ndaj Z-mobile, Kosova nuk i ka borxh Dardafonit. Hapi i tretë duhet të jetë mosvazhdimi i kontratës me Z-mobile. Kryeministër nëse ministri juaj Lluka është i kapur me Z-mobile është mundësia juaj ta merrni rastin në kontroll”, tha Konjufca.
Ndaj tij replikoi kryeministri Haradinaj.
“Nga bordi i PTK-së ka fillu procedurë shkarkimi, por aty janë dorëheqë dy anëtarë. Pas rezolutës qeveria ka kërku menjëherë që Auditori të fillojë auditimin. Qeveria nuk ka tërheqë dividentë nga Telekomi, në të kaluarën i kanë marrë. Ka fillu shikimi i marrëveshjes së drejtorit të kaluar në Z-mobile. Kodi i Serbisë është ndalu në Kosovë, kodi 377 është ndërpre kurse 381 ndërpritet në qershor. Sa i përket kontratës me Z-mobile. Për t’iu shmangë një arbitrazhi të dytë me Z-mobile është kriju një mekanizëm i shqyrtimit të kontratës. Jemi në proces të negociatave me Z-mobile për ta bë analizën e kontratës. Pas këtyre proceseve ne mund të marrim vendim”, tha Haradinaj, raporton EO.
Kryeministri Haradinaj tha se nëse bordi aktual nënshkruan kontratë të dëmshme me operatorin privat ai mban përgjegjësi ligjore.
“Ne nuk e pasurojmë Kosovën duke e dëmtuar një kompani publike në interes të operatorit privat”, tha Haradinaj.