Kontrata për termocentralin “Kosova e Re”, do të përkthehet në gjuhën shqipe brenda tre muajve. Kështu bëri të ditur ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka.
Kontrata është publikuar në gjuhën angleze të premten më 19 janar, pas disa vonesave “për shkaqe teknike”.
Lluka tha se përkthimi i kontratës do të bëhet nga zyra për menaxhimin e projektit dhe nuk do të ketë kosto të madhe, raporton Ekonomia Online.
“Kontrata i ka 1000 faqe, përkthimi ka filluar por do të zgjasë deri në 3 muaj, përkthimin po e bën zyra jonë për menaxhimin e projektit, nuk besoj që ka një kosto të lartë”, tha Lluka, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i bëri komentet pas takimit që zhvilloi me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i cili shoqërohej nga një delegacion i përfaqësuesve të bizneseve.
Gërxhaliu: Ta mbështesim projektin “Kosova e Re” nëse duam të bëjmë diçka për ekonominë e vendit
Nënshkrimi i kontratës për Termocentralin “Kosova e Re”, është hapi i parë i duhur për rregullimin e sektorit energjetik si një nga mekanizmat kryesorë për zhvillimin ekonomikë të vendit, sidomos të sektorit të prodhimit.
Kështu deklaroi kreu i MZhE-së, pas takimit me drejtuesit e Odës Ekonomike. Lluka tha se stabiliteti energjetik do të ndikojë në uljen e humbjeve vjetore në sektorin privat, duke shtuar se janë mbi 300 milionë euro humbje vjetore për shkak të ndërprerjeve të paplanifikuara si dhe mosqasjes në energji stabile në vend.
“Gjatë takimit diskutuam për marrëveshjen e nënshkruar për TC “Kosova e Re”, gjithashtu diskutuam për të ardhmen në sektorin energjetik, i cili është një sektor kritik për ekonominë e vendit, është bazamenti i një zhvillimi të mirfilltë ekonomik të vendit” ka thënë Lluka, i cili ka informuar përfaqësuesit e biznesit me detajet e kontratës dhe mundesitë që ofron ky sektor, si në aspektin e gjenerimit, efiçiencën e energjisë dhe realizimin e tregut të përbashkët energjetik me Shqipërinë.
Ndërsa, Safet Gërxhaliu kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës tha se viti 2017 dhe fillimi i vitit 2018 karakterizohen si vite të dialogut publik-privat, duke falënderuar ministrin Lluka për një dialog të veçantë me MZHE-në.
Gërxhaliu më tej ka thënë se projekti i Termocentralit “Kosova e Re” është i rëndësisë së posaçme për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Është nënshkruar një kontratë për termocentralin ‘Kosova e Re’ e që është një kontratë që ka rëndësi strategjike ekonomike dhe integruese. Ajo që e karakterizon këtë kontratë dhe duhet të jetë model edhe për institucionet e tjera, është transparenca që është deshmuar ditëve të fundit. Në këtë drejtim më gëzon fakti që Ministri Lluka po e vë një standard të ri sa i përket këtyre projekteve, që për fat të keq nuk ka qenë në të kaluarën”, ka theksuar Gerxhaliu.
Më tej, Gërxhaliu tha se OEK-u mbështet fuqishëm projektin e Termocentralit “Kosova e Re” dhe theksoi se nëse dikush mendon të bëjë diç për ekonominë e vendit, atëherë duhet ta mbështesë këtë projekt.
“Le të jetë si apel nga Oda Ekonomike e Kosovës për Parlamentin e Republikës së Kosovës që ta mbështesë këtë projekt, ta votojë; sepse 13 vite kanë lënë gjurmë në ekonominë kosovare dhe nuk mund të humbet më shumë kohë”, ka thënë Gërxhaliu.
I pari i OEK-ut, ka vënë në dukje mundësitë e punësimit gjatë procesit të ndërtimit të TC “Kosova e Re“, pasi ky projekt mund të punësojë më shumë se dhjetë mijë persona, derisa do të ketë 500 deri 700 të punësuar gjatë operimit.
Gërxhaliu ishte i shoqëruar nga përfaqësues të bizneseve, nga sektorët e prodhimit, ndërtimtarisë, përpunimit të metaleve, të cilat janë konsumues jashtëzakonisht të mëdhenj të energjisë, të cilët dhe njëherë i kanë dhënë mbështetje projektit “Kosova e Re”.