Në kuadër të programit “Një përpjekje drejt një qeverisje lokale dhe funksionale”, Instituti KLGI mban punëtorinë me temën “Ngritja e kapacitetit të zyrave të auditorit të brendshëm për monitorim, vlerësim dhe këshillim”.
Kjo punëtori ka për fokus zyrat e auditorit të brendshëm me qëllim të promovimit të rolit të tyre, përmirësimit të komunikimit si dhe njohjen me standardet ndërkombëtare për praktikën profesionale të auditimit të brendshëm.
Punëtoria do të shërbejë për t’i ndihmuar zyrat e auditorit të brendshëm në përmirësimin e proceseve të mbikëqyrjes, kontrollit dhe rekomandimit në mënyrë që të rriten standardet e auditimit.
Komunat, me theks kryetarët duhet të angazhohen fuqishëm në themelimin dhe funksionalizimin e këshillave të auditimit dhe fuqizimin e auditorëve të brendshëm si sinjalizues dhe parandalues të shkeljes procedurale dhe ligjore në aspektet financiare.
Planet strategjike dhe planet e veprimit duhet të jenë proces i konsultimit dhe analizimit të vazhdueshëm nga këshillat e auditimit dhe auditorët. Kontrolli i brendshëm, para së gjithash, duhet që në proces të përmirësojë, adresojë dhe rris standardet e mënyrës së shpenzimit financiar në raport me proceset që ndodhin në komuna.
Punëtoria shtrihet në të gjitha regjionet e Kosovës duke trajtuar tema që në thelb shtrojnë nevojën për intervenim dhe përmirësim të gjendjes në fushën e qeverisjes lokale në terren.
Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).