Kosovarët mbeten të izoluar sherri i korrupsionit të nivelit të lartë. Ky fakt është theksuar nga vetë Qeveria, e cila në një dokument e ka pranuar se shteti nuk i ka kryer të gjitha “detyrat e shtëpisë” që janë kushte për lëvizje të lirë në Zonën Schengen.
Me këtë, është drejtuar gishti kah Kosova si fajtore për izolimin në të cilin ndodhet, ndonëse ka një dekadë prej kur zyrtarë shtetërorë kanë deklaruar t’i kenë përmbushur të gjitha kriteret.
Është Drafti i Planit të Punës së Qeverisë, në të cilin si detyrë e papërmbushur për liberalizimin e vizave është identifikuar “luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë”. Kjo ndodhet e listuar në pikën “A4.2.12” të këtij dokumenti. Dhe, si tregues për shkallën e përmbushjes së kriterit, do të merren raporte mujore mbi zbatimin e rasteve të shënjestruara të krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë.
Në Qeveri, prej katër ditësh kanë refuzuar të tregojnë se mbi çfarë baze ajo ka konstatuar se ky rekomandim është i papërmbushur. Po kështu, nuk ka treguar as se në çfarë shkalle përmbushjeje është ky kusht, raporton Koha.
Në vitin 2013, nëpërmjet një dokumenti është përcaktuar se çfarë nënkupton luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë. Atëherë ishte definuar se subjekti i dyshuar për kryerjen e kësaj vepre është ekzekutivi qendror dhe drejtuesit e komunave, si Presidenti, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe kabineti ministror, kryetarët e komunave dhe shërbyesit civilë të menaxhimit të lartë, siç janë Sekretari i Përgjithshëm dhe punonjësit në pozita vendimmarrëse. Për t’u kualifikuar vepër e tillë, ishte vendosur që duhej të ishte shkaktuar një dëm në vlerë monetare prej 500 mijë eurosh e më lartë.
E, deri tash, është demonstruar ngathtësi në adresimin e krimeve të këtilla.
Gjyqtari Agim Maliqi, i cili është koordinator për lëndët e shënjestruara, ia ka ofruar KOHËS disa statistika për rastet e shënjestruara.
“Aktualisht të shënjestruara janë 73 lëndë gjithsej, në gjykata dhe prokurori. Janë 54 lëndë me aktakuza (në gjykata), kurse të tjerat pushim-pezullim i hetimeve dhe në hetime (në prokurori)”, ka thënë gjyqtari Maliqi. “18 lëndë janë të papërfunduara dhe janë në fazën e shqyrtimit gjyqësor, kurse 17 lëndë janë të përfunduara në gjykatën e shkallës së parë. 18 lëndë janë të përfunduara me formë të prerë”.
“Këta numra statistikorë shprehin qartë faktin se institucionet tona të drejtësisë kanë një numër të konsiderueshëm të lëndëve nën shenjën LV. Mirëpo, siç mund të shihet nga këto të dhëna, numri i lëndëve të shënjestruara gjatë vitit 2020 arrin numrin 73, ndërsa rastet e profilit të lartë ende vazhdojnë të përballen me zvarritje të shumta, ka thënë Rreze Hoxha-Zhuja nga GLPS-ja. “Është evidente se këto institucione duhet t’i kushtojnë një kujdes më të veçantë trajtimit substancial të këtyre rasteve, në mënyrë që mekanizmat dhe infrastruktura ligjore faktikisht të gjejnë zbatim praktik dhe jo vetëm teorik”.
Proceset gjyqësore të kësaj kategorie kanë njohur vazhdimisht zvarritje.
Këtë të mërkurë, në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ishte planifikuar të mbahej gjykimi ndaj 18 të akuzuarve për krim të organizuar. Ka dështuar seanca. Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Beqir Halili, përmendi si arsye mungesën e katër prej të akuzuarve. Gjithashtu, mungonin edhe tre avokatë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 30 nëntor të vitit 2016, shumë nga të akuzuarit ngarkohen për kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, “Kontrabandim i mallrave”, “Tregtia e ndaluar” dhe “Shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore”.
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), në kuadër të platformës “Drejtësia Sot”, monitoron punën e gjykatave, përfshirë edhe rastet e shënjestruara.
Rreze Hoxha-Zhuja, hulumtuese në GLPS, është shprehur kritike në raport me adresimin e rasteve, në të cilat ka të përfshirë edhe të mëdhenj të politikës.
“Kosova vazhdon të ballafaqohet me mungesë të dënimeve të formës së prerë në luftën kundër korrupsionit ndaj profilit të lartë, edhe pse vazhdimisht ajo ka ndryshuar ligjet dhe ka krijuar mekanizma të rinj”, ka thënë Hoxha-Zhuja. “Është shqetësues fakti që gjykatat kanë caktuar një numër të vogël të seancave gjyqësore për rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave, duke bërë kështu që edhe më tutje të bëhet zvarritje në trajtimin e këtyre lëndëve penale”.
Për një numër lëndësh që kanë të bëjnë me korrupsionin e profilit të lartë, ka mungesë të theksuar ndjekjesh penale, e edhe në rastet në trajtim procedurat vazhdimisht zvarriten.
Shembull të asaj se si rastet e këtilla nuk marrin epilog shpejt, Rreze Hoxha-Zhuja ka përmendur rastin “Stenta”, i cili është duke u gjykuar në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Për të ekzistojnë tri procedura penale që zhvillohen pranë kësaj gjykate, por të cilat janë ende larg marrjes së një vendimi të formës së prerë. Rasti i njohur si “Stenta 1”, ku njëri nga të akuzuarit është ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, është duke vazhduar të qëndrojë në sirtarët e kësaj gjykate, edhe pse këtë javë është bërë një vit i plotë prej kur lënda është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit. Apeli më datë 23 dhjetor të vitit të shkuar e kishte kthyer lëndën në rigjykim, por Departamenti i Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë ende nuk ka caktuar asnjë seancë gjyqësore.
Në pothuajse në të njëjtën situatë ndodhen edhe rastet “Stenta 2” dhe “Stenta 3”, të cilat gjenden në fazën e shqyrtimit kryesor.
Aktualisht, Departamenti i Krimeve të Rënda në kuadër të Gjykatës Themelore të Prishtinës i ka në trajtim rastet e njohura si: “Dëmi”, “Stenta”, “Viza”, “Posta”, “Veteranët” dhe “Detyrimi”, ndërsa Departamenti Special i kësaj gjykate, në këtë periudhë kohore, ka aktive lëndët: “Përvetësimi”, “Ura e Gurit 1”, “Ura e Gurit 2”, “Përfitimi”, “Shënjestra”, “Grantet”, ‘Llupa”, “Hidrocentralet”, “Mashtrimi” dhe “Sinjali”.
Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës janë aktive dy raste të kësaj natyre: “Transporti” dhe “Qarku”.
Ndërsa, Gjykata Themelore e Prizrenit është duke e trajtuar rastin e njohur si “Hekurudha”.
Përtej këtyre rasteve, për të cilat janë ofruar të dhëna zyrtare, në GLPS kanë thënë se në Gjykatën Themelore në Prizren është aktiv edhe rasti “Shkolla”, i cili është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, më datë 29 shtator, e po kështu edhe Gjykata Themelore në Gjakovë e ka në trajtim lëndën penale që ka të bëjë me ish-kryetarin e kësaj komune, Pal Lekaj.
“Këta numra statistikorë shprehin qartë faktin se institucionet tona të drejtësisë kanë një numër të konsiderueshëm të lëndëve nën shenjën LV. Mirëpo, siç mund të shihet nga këto të dhëna, numri i lëndëve të shënjestruara gjatë vitit 2020 arrin numrin 73, ndërsa rastet e profilit të lartë ende vazhdojnë të përballen me zvarritje të shumta, ka thënë Rreze Hoxha-Zhuja. “Është evidente se këto institucione duhet t’i kushtojnë një kujdes më të veçantë trajtimit substancial të këtyre rasteve, në mënyrë që mekanizmat dhe infrastruktura ligjore faktikisht të gjejnë zbatim praktik dhe jo vetëm teorik”.
Në korrik të vitit 2018, Komisioni Evropian kishte miratuar rekomandimin për heqjen e vizave për Kosovën, pasi që ishte vlerësuar që vendi ka zbatuar të gjitha obligimet e dala nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave. Megjithëkëtë, kritika të vazhdueshme janë dhënë për shkallën e korrupsionit në vend, dhe veçanërisht për pandëshkueshmërinë e nivelit të lartë të akuzuar për korrupsion. Shtetet që kërkojnë me ngulm rezultate në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë janë Franca, Holanda e Gjermania.