Zyra e BE-së në Kosovë dhe Këshilli i Evropës kanë mbajtur konferencë në kuadër të projektit të përbashkët kundër krimit ekonomik, në të cilin janë dhënë vlerësime rreth përputhjes së ligjeve të Kosovës me standardet evropiane në luftimin e korrupsionit, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Vlerësimi është kryer në koordinim dhe përkrahje të ngushtë me agjencitë përkatëse vendase si Agjencia Kosovare kundër Korrupsionit dhe Njësia e Inteligjencës Financiare.
Labor Chlad, nga Zyra e Bashkimit Evropian, ka ftuar përfaqësuesit e institucioneve prezente që ta prezantojnë kontributin e tyre në luftimin e korrupsionit, pastrimit të parave dhe terrorizmit, raporton Ekonomia Online.
“Jemi partnerë me Këshillin e Evropës ku i kemi mbështetur akterët tuaj për të luftuar krimin e organizuar. Jam i lumtur që sot mund të prezantojmë disa rezultate, në çka duhet të përqendrohemi dhe çka duhet të përmirësohet. Dy gjëra janë shqyrtuar, përputhshmëria me standardet evropiane dhe e dyta është efikasiteti që ka ndodhur në vend”.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se kjo konferencë forcon luftën kundër korrupsionit, krimit, të terrorizmit, pastrimit të parave i cili, sipas tij, e dëmton funksionimin e shtetit.
“Si pjesë e Ministrisë së Financave, njësia e inteligjencës financiare është një nga dy institucionet që udhëheqin mbështetjen kundër krimit ekonomik. Në këtë drejtim, raporti i vlerësimit të përputhshmërisë së Kosovës, për luftim të korrupsionit është vegël për luftimit e tij. Një pjesë e rekomandimeve janë përmbushë nga autoritetet tona. Deri më tani Ministria e Financave ka krijuar një kornizë ligjore në harmoni me standarde ndërkombëtare. Në vitet në vijim, Ministria e Financave ka përfshirë rishikimin e ligjit. Të gjitha aktet janë azhure dhe mundësojnë zbatim korrekt të ligjit”.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se një nga aktivitetet më të rëndësishme të punës së tij gjatë mandatit si ministër ka qenë reformimi i thellë i politikës së konfiskimit të pasurisë së jashtëligjshme, raporton EO.
“Kemi arritë në një politikë të thellë të konfiskimit që është miratuar nga Kuvendi. Veprat penale lidhen me konfliktet e armatosura jashtë vendit, veprat e lidhura me terrorizëm, etj. Kemi arritë në një stad ku jemi në një fazë të organizuar. Jemi të bindur se edhe prokurorët tanë do kenë mjete më të fuqishme për parandalimin e krimit të organizuar”.
Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Imri Zeka, ka thënë se viteve të fundit ka pasur rritje të kapaciteteve, me theks në zbatimin e ligjeve, raporton EO.
“Duke pasë parasysh rrezikun që përballet Kosova nga personat luftëtarë të huaj terroristë, ata që janë kthyer nga vendet e huaja nga terrorizmi, vitet e fundit ka pasur rritje të kapaciteteve, me theks në zbatimin e ligjeve. Lidhur me ndjekjen penale, kanë marrë veprime konkrete në ndjekje dhe arrestime ndaj atyre që ekziston dyshimi se kanë kryer vepra të terrorizmit. Vlerësimet nga krimet e rënda, përmban kërcënime, përfshirë pastrimin e parave dhe krimin e organizuar”.
Vahagn Muradyan, nga Zyra e Këshillit të Evropës, ka rikujtuar angazhimin e Këshillit gjatë viteve në Kosovë.
“Mënyra si Këshilli punon këtu, parimi është që të sjellim ekspertizën tonë dhe Kosova të përfitojë nga ajo. Këshilli Evropian e ka një parim fundamental që nuk duhet të ketë hapësirë për moszbatim të ligjit”.
“Shpesh harrojmë të drejtat e njeriut që duhet të përfitojnë nga kjo. Të kemi këtë perspektivë më të gjerë se cili është qëllimi ynë përfundimtar që është gëzimi i të drejtave të qytetarëve”.
Ndërsa, në fund u prezantuan gjetjet nga raportet, për pajtueshmërinë e masave në luftimin e korrupsionit dhe për pajtueshmërinë në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit.