Dhënia e licencës për hulumtim dhe shfrytëzim të thëngjillit të Kosovës dy kompanive “Envidity Energy Kosova LLC” dhe “Sharr Cem dhe Titan America” do të ketë kosto katastrofale për mjedisin dhe shëndetin e popullatës, që për qindra herë tejkalojnë përfitimet ekonomike.
Kështu u vlerësua në tryezën me temë “Interesi publik mbi eksplorimin e linjitit në Kosovë” të organizuar nga Konsorciumi Kosovar i Organizatave të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID).
Tryeza kishte për qëllim diskutimin mbi investimet potenciale në sektorin e linjitit në Kosovë, duke shtjelluar parimet ligjore dhe ekonomike, si dhe realizueshmërinë e projekteve me interes publik në vend.
Visar Azemi, drejtues i KOSID-it, ka theksuar se edhe pse investimet do të jenë mbi 30 milionë euro, përfitimi i shtetit do të jetë minimal.
“Përfitimi i vetëm do të jetë mbledhja e tantiemës së thëngjillit, por e cila në total do të jetë rreth 70 milionë euro dhe jo më shumë. Investimi do të jetë privat dhe ajo që do të lë mbrapa do të jetë vetëm kostot ambientale dhe sociale dhe asnjë shërbim tjetër ndaj qytetarëve”, ka theksuar Azemi.
Sipas tij, projekti Sharr Cem dhe Titan Amerika nuk ofron asnjë përfitim të dukshëm publik, por ofron vetëm një burim për kompaninë që të furnizojë me qymyr të tharë kompanitë e tij partnere.
“Për më shumë do të ketë hapje të mihjeve të reja dhe jo shfrytëzim i atyre ekzistuese çka do të mund të sillte pak dobi nga projekti, në formën e tanishme, do të ketë vetëm mihje të reja me emetim të gazeve të dëmshme dhe përfitimet do të jenë vetëm të operatori ekonomik dhe jo të shtetit”, ka thënë ai.
Sipas tij, përfaqësuesit e popullit duhet të kenë parasysh nenin 52 të Kushtetutës së Kosovës që përcakton përgjegjësinë që kanë institucionet e vendit për të garantuar qytetarëve mundësinë për të ndikuar në vendimet që prekin mjedisin jetësorë ku ata jetojnë.
“Si organ përfaqësues i qytetarëve, u takon juve që duke votuar kundër këtyre projekteve të mbroni, mjedisin e tyre jetësor, burimet nëntokësore ujore, kualitetin e ajrit, pronat e tyre etj”, ka thënë ai.
Azemi ka theksuar se problematikë se asnjë konsultim me banorët e atyre zonave nuk është bërë dhe nuk është duke ndodhur për të parë se cili do të jetë impakti i atyre familjeve të atyre zonave të cilat deri më tash kanë qenë të pa prekura.