Zhvillimet në fushën e tregtisë, doganës dhe tatimeve, industrisë dhe lëvizjes së lirë të mallrave gjatë vitit të kaluar u diskutuan sot në Prishtinë nga përfaqësuesit e Kosovës dhe Komisionit Evropian.
Diskutimi u mbajt në kuadër të takimit të parë të nënkomitetit respektiv të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) e cila hyri në fuqi në prill 2016.
Në të gjitha fushat, Komisioni dhe Kosova u pajtuan mbi rëndësinë e zbatimit të prioriteteve relevante të Agjendës për Reforma Evropiane dhe Programit të Reformave Ekonomike si dhe të rekomandimeve nga raporti i Komisionit për vitin 2016 për Kosovë.
Sa i përket tregtisë, palët diskutuan integrimin e tregut dhe bilancin tregtar me partnerët kryesor tregtarë të Kosovës. Kosova ka prezantuar gjendjen aktuale në negociatat në kuadër të CEFTA, në veçanti problemet e hasura gjatë negociatave dhe zbatimit të marrëveshjes.
Në këtë kontekst, Komisioni mirëpriti zotimet e dhjetorit të vitit të kaluar nga ana e ministrave të palëve të CEFTA-s për thellimin e integrimit regjional ekonomik si dhe të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor në takimin e mbajtur në Sarajevë më 16 mars 2017 për të filluar punën rreth propozimit për qasje të përbashkët në forcimin e bashkëpunimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor.
Palët ranë dakord të shkëmbejnë informatat mbi aplikimin e statusit mbikëqyrës të OBT-së. Komisioni theksoi rëndësinë që Kosova të miratojë ligjet mbi masat mbrojtëse për importet dhe tregtinë me produkte të naftës dhe lëndëve djegëse të ripërtëritshme.
“Në lidhje me doganat dhe tatimet, Komisioni Evropian theksoi rëndësinë për të kompletuar strukturën organizative të Agjencisë Tatimore dhe Doganore duke marrë parasysh efikasitetin e kostos së proceseve të mbledhjes së taksave dhe për të siguruar emërimin e bazuar në merita të personelit dhe menaxhmentit. Kosova ra dakord për të publikuar rregullisht zbatimin e strategjisë kombëtare mbi ekonomine informale, shpëlarjen e parave, financimin e terrorizmit dhe krimin financiar”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së.
Në lidhje me industrinë dhe politikën e NVM-ve Komisioni Evropian ritheksoi nevojën për të përfunduar ristrukturimin e KIESA-s dhe për të zhvilluar tutje kapacitetet e saj për promovimin dhe mbështetjen e investimeve, sektorit privat dhe zhvillimit të NVM-ve.
Kosova u shpreh e përkushtuar për të përgatitur një pasqyrë të shërbimeve mbështetëse të biznesit në Kosovë dhe vlerësimit të nevojave për zhvillimin e tyre, për të përgatitur një vlerësim të zbatimit të Fondit të Garancisë së Kredive të Kosovës dhe për të zhvilluar një dokument koncept për ligjin për turizmin.
Së fundi, sa i përket lëvizjes së lirë të mallrave Kosova mbetet e përkushtuar për rritjen e kapaciteteve të institucioneve dhe miratimin e ligjeve dhe udhëzimeve administrative dhe përmirësimin e infrastrukturës së cilësisë në fushën e standardizimit, akreditimit, vlerësimit të konformitetit, metrologjisë dhe mbikëqyrjes së tregut. Komisioni Evropian inkurajoi Kosovën që të sigurojë mbështetjen e duhur në Këshillin Kombëtar të Mbikëqyrjes së Tregut, në mënyrë që të sigurohet aplikimi konsistent i rregulloreve përkatëse në mbarë Kosovën.