Në kuadër të bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, Ministri i Shëndetësisë (MSh) Uran Ismaili dhe zëvendësministrja e Shëndetësisë e Republikës së Turqisë, Emine Alp Meşe kanë nënshkruar Planin e Veprimit për implementimin e bashkëpunimit në shëndetësi, raporton Ekonomia Online.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë e Republikës së Turqisë, Emine Alp Meşe, tha se në spitalin publik të Turqisë që nga 2009 kur edhe u nënshkrua marrëveshja mes Kosovës dhe Turqisë janë trajtuar 800 pacientë.
“Kosova e Turqia kanë një marrëdhënie e shoqëri të thellë në histori. Në ditët e mira dhe të vështira Kosova dhe Turqia kanë ditur t’i ngrisin marrëdhëniet e mira. Në mes të Kosovës dhe Turqisë në 2009 është nënshkruar një marrëveshje në kuadër të shëndetësisë. Në spitalin publik të Turqisë sipas kësaj marrëveshje janë trajtuar 800 pacientë nga Kosova”.
“Gjatë javës së sivjetme të Shëndetësisë janë realizuar 54 operime. Pak minuta më parë nënshkruan planin e veprimit që ka për qëllim t’i forcojë sistemet shëndetësore. Shpresoj që ky plan do jetë i dobishëm për të dy vendet”, tha Alp Meşe.
Naim Bardiqi, sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë, tha se në kuadër të këtij plan janë paraparë edhe aktivitete të tjera që do të përfitojë sektori i shëndetësisë, raporton EO.
“Kësaj jave i ka paraprirë java e hapjes së shëndetësisë në Kosovë, 26 ekspertë të shëndetësisë kanë filluar punën në kudër të marrëveshjes së nënshkruar që nga shtatori 2009, shteti i Kosovës ka pas përfitime ndër më të ndryshme duke filluar me nga 100 pacientë në vit që kanë përfituar trajtim mjekësor që nuk kanë mundur ta gjejnë në Kosovë”.
“Në kuadër planit të veprimit kemi paraparë edhe aktivitete tjera që do të përfitojë sektori i shëndetësisë në Kosovë”, tha Bardiqi.
Vizita e zëvendësministres Emine Alp Meşe realizohet në ditët e Javës së Shëndetësisë Kosovë-Turqi gjatë të cilës një ekip prej 26 ekspertëve turk të fushave të mjekësisë po mundësojnë ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe ndërhyrjeve operative në institucionet shëndetësore të Kosovës.