Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka organizuar tryezë diskutimi për Liberalizimin e Tregut të Energjisë. Aty u theksua se e ardhmja e Kosovës, por edhe e shteteve të tjera është në një treg të integruar të energjisë.
Në bazë të ligjit të gjithë konsumatorët kanë të drejt të dalin në treg dhe të blejnë energjinë dhe të lidhin kontratë bilaterale me njërin prej furnizuesve komercialë. Konsumatorët industrialë në momentin që dalin në treg dhe bëjnë marrëveshje me një furnizues nuk kanë të drejtë të kthehen më në shërbimin universal.
Ushtruesi i detyrës së kryesuesit të bordit të ZRrE-së, Krenar Bujupi, ka thënë se ligjet parashohin një ndryshim thelbësor dhe se rregullimi i çmimeve është bërë nga rregullatori, raporton Ekonomia Online.
“Ndërsa prej tash do të bëjmë një qasje tjetër. Qëllimi është që të gjitha palët të njoftohen me ndryshimet e ligjit për energji. Dekontrollimi i çmimeve do të thotë do të bëhet në një mënyrë të ndryshme nga tani”, tha ai.
Ai theksoi se konferenca ka të bëjë me ndryshimet ligjore që janë bërë vitin e kaluar dhe kanë pasur një impakt thelbësor në këtë sektor.
Sipas tij, nga 1 prilli çmimet do të përcaktohen nga çmimet e konkurrencës së hapur.
“Ligjet e reja përcaktojnë që të gjithë konsumatorët shtëpiakë, por edhe sektori privat që kanë deri në 50 punëtorë dhe konsumatorët tjerë do t’ju nënshtrohen çmimeve të hapura të tregut”, tha ai.
“Tarifat e tanishme janë sipas niveleve të tensionit dhe nga liberalizimi të gjithë konsumatorët e mëdhenj duhet të dalin në treg të hapur. ‘Ferronikeli’, ‘Sharr Cemi’ dhe ‘Trepça’ duhet të dalin nga 1 prilli në treg të hapur”, ka thënë Bujupi.
Sa i përket të hyrave, ai ka thënës e në këtë sektor janë stabilizuar dhe “nuk kemi pasur rritje të tarifave “ne jemi në spektrin e çmimeve më të ulëta në rajon dhe çmimi është i lidhur me kualitetin e shërbimit”.
Sipas tij, gjatë pesë viteve të fundit janë bërë investime enorme në sektorin e energjisë.
Stavileci: Hapja e tregut të energjisë rrit sigurinë dhe balancon çmimin
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, theksoi se botërisht është e ditur që nuk mund të ketë transformim të sektorit të energjisë pa një reformë të mirëfilltë.
A shtoi se janë bërë shumë gjëra në kuptimin e liberalizimin të tregut me pakon e tretë të ligjeve që është bërë vitin e kaluar.
“Janë bërë shumë gjëra mbi të gjitha ato që u përmendën nga sekretariati, në kumtimin për liberalizimin e tregut me njërin prej hapave kryesor që është bërë vitin e kaluar pra ai i transfuzimit të ligjeve të pakos së tretë të ligjeve”, tha ai.
“Normalisht që procesi nuk ka përfunduar madje unë besoj që sivjet do ta intensifikojmë edhe më shumë sepse ne si Kosovë kemi presidencën e radhës në kuadër të traktatit, edhe sot patëm takimin e përfaqësuesit të sekretariatit në Vjenë dhe jemi në bisedime të vazhdueshme në mënyrë që ne të lëmë gjurmë edhe gjatë kësaj presidence në kuptimin e qëllimeve të përbashkëta, jo vetëm tonat si shtet por të regjionit në familjen e integruar evropiane për sa i takon rrjetit të përbashkët të energjisë, edhe një sistemi të cilin jemi duke e ndërtuar dhe ku kryegjëja elementare pra janë masat e buta të cilat lidhen drejtpërdrejt me temën”, ka theksuar Stavileci.
“Natyrisht që e ardhmja e Kosovës por edhe shteteve të tjera është në një treg të integruar të energjisë me veprime konkrete të cilat jemi duke i marrë dhe po i ndërmarrim në mënyrë që të gjitha shtetet t’i kenë të përmbushura dy sendet kryesore pas një lidhje më të mirë infrastrukturore fizike, atë të sigurisë së furnizimit dhe atë të përballueshmërisë së çmimeve”, tha ai.
Ndërsa, Theodore Heisler nga USAID-i theksoi se një sektor i qëndrueshëm me energji elektrike dhe furnizimi i pandërprerë paraqet rritje ekonomike.
“Ligjet e reja sjellin dispozita të cilat sjellin liberalizimin e çmimeve të energjisë. Po ashtu parashohin masa mbrojtëse dhe një ekonomi të qëndrueshme familjare. Ky proces do të shkojë në konsultime publike. Synimi i asistencës së USAID-it është që të promovojë dhe të mbështes rregullore që rrisin ekonominë drejt liberalizimin e tregut”, tha ai.
Sipas tij, ZRrE-ja ka autoritetin për praktika të qëndrueshme në rregullimin e çmimeve.
Arben Kllokoqi, ekspert për energji elektrike në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, tha se konsiderojnë se me hapjen e tregut në mes të kontratave të gjenerimit dhe rregullimit të rritet konkurrenca.
“Me këtë evolucion që të rriten pjesëmarrësit në treg Qeveria dhe Parlamenti duhet të krijojnë politika që të sjellin konkurrencë. Tani kompanitë duhet të menaxhojnë çmimin e tregut dhe rriskun, sepse me liberalizimin ZRrE-ja nuk do të jetë aty për të menaxhuar rriskun. Është shumë e rëndësishme që kushtet për të hyrë në treg duhet të jenë konkurruese me ato të vendeve të tjera”, tha ai.