Kosova drejt KiE-së, kryeministri malazez: Qëndrimin zyrtar të Malit të Zi do ta shihni në Këshillin e Ministrave

Prishtinë | 30 Mar 2024 | 17:10 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, ka komentuar votën e një deputeteje të këtij shteti kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Spajiq tha se në Këshillin e Ministrave do të mund të shihni qëndrimin zyrtar të shtetit të Malit të Zi.

“Unë mendoj se ishte një votim i fshehtë dhe nuk ishte as votim, ishte një diskutim për këtë temë. Votimi i vërtetë do të bëhet në prill, kur do të kemi një seancë plenare dhe kur do të kemi një këshill ministror, ​​kur do të mund të shihni qëndrimin zyrtar të shtetit të Malit të Zi”, tha Spajiq para gazetarëve.

Gjatë ditës së djeshme, Ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviq gjatë qëndrimit në Prishtinë, tha se Mali i Zi në Këshillin Ministror, në maj do ta përkrahë Kosovën për anëtarësim në KiE dhe do t’ia japë përkrahjen Kosovës për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë në fushën e integrimeve evropiane.

“Unë e kuptoj interesimin e mediave në lidhje me votimin nga një deputeteje, por shumica parlamentare në Këshillin e Evropës, ashtu siç tha edhe zoti Bislimi votimi i disa deputetëve në Këshillin e Evropës nuk do të thotë se është qëndrim i Qeverisë së Malit të Zi…

Dua të nënvizoj se Mali i Zi në Këshillin Ministror në Maj do ta përkrahë Kosovën për anëtarësim në KiE dhe do t’ia japë përkrahjen Kosovës për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë në fushën e integrimeve evropiane”, tha ministrja malazeze.

Më 27 mars, Maja Vukiqeviq, kryetare e delegacionit malazias në Komitetin për Politikë dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), votoi kundër propozimit që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

Republika e Kosovës të mërkurën e ka kaluar me sukses votimin në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Me 31 vota për, 4 kundër dhe 1 abstenim, Komisioni për Çështje Politike e ka miratuar opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, e cila e rekomandon Këshillin e Evropës që ta ftojë Kosovën për t’u bërë anëtare.

Pas këtij votimi në Strasburg, çështja procedon në Asamblenë Parlamentare më 18 prill dhe nëse merr miratimin edhe në këtë institucion, atëherë fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës gjatë një mbledhjeje që do të mbajë në muajin maj.

Kosova ka aplikuar në majin e vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Anëtarësimi i Prishtinës është riaktualizuar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim.

Të ngjashme