Kosova e fokusuar në transformimin e energjisë, Beqa: Po punojmë në dizajnimin e ankandit solar

Prishtinë | 27 Maj 2024 | 13:58 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kosova është fokusuar në investimet në energjinë e ripërtëritshme në kuadër të transformimit energjetik.

Kështu kanë deklaruar përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, në panelin “Transformimi i sistemit energjetik – nevoja për rritjen e biznesit”, i cili u mbajt në kuadër të Forumit për Investime të Qëndrueshme, raporton Ekonomia Online.

Anila Beqa, këshilltare e ministre së Ekonomisë, ka thënë në këtë panel se kanë shënuar progres në këtë drejtim, meqë strategjia e energjisë ka kaluar tashmë edhe në Parlamentin e Kosovës, vitin e kaluar.

Ajo tha se kanë përcaktuar disa caqe që ndërlidhen me dekarbonizimin e sektorit energjetik.

“Aty përfshinë 32 për qind të rënies në emetime të gazrave dhe rënie në konsumin të energjisë e cila do të jetë prej burimeve të ripërtëritshme. Këto caqe nuk mund të arrihen pa përfshirjen e sektorit privat. Për me qenë në gjendje për të arritur këto caqe ne kemi zgjedhur qasjen e balancit të kërkesës dhe ofertës dhe do t’i përmend disa masa qe i kemi ndërmarr si qeveri. Kemi parashikuar një lloj miksi të kapaciteteve solare dhe të erës që do të inaugurohen deri në vitin 2025. Jemi duke punuar më dizajnimin e ankandit solar, po punojmë në dizajnimin e ankandit të erës që do të lansohet në tetor të këtij viti, jemi duke folur për 150 megavat kapacitet, po punojmë me USAD-in dhe IFC-në të cilët do të na ndihmojnë në dizajnimin e këtij plani dhe tërheqjen e ofertuesve serioz. Ky projekt do të jetë shumë i rëndësishëm sa i përket bashkëpunimit të investitorëve ndërkombëtarë dhe lokal. Do të lansojmë këtë proces në dy llote. Të dyja nga 75 megavat, do të japim shanse atyre projekteve që të jenë pjesë e këtij ankandi dhe do t’i japim kohë investitorëve që nuk i kanë të dhënat t’i grumbullojnë ato dhe të ofertojnë pas një viti”, ka thënë ajo.

Ndërsa, ekspert i Lartë i Energjisë dhe përfaqësues i Sekretariatit të komunitetit të Energjisë në Vjenë, Arben Kllokoqi, ka theksuar se janë disa caqe ambicioze që duhet të arrihen dhe reflektohen në ligj.

Ai tha se objektivat për energji, për emetim të gazrave, për energji të ripërtritshme, janë obligime të cilat Kosova i ka marr përsipër.

“Të gjitha këto do të finalizohen në planin kombëtar për energji dhe klimë, planë i cili integron të gjitha strategjitë sektoriale në një. Duhet të jetë një draft shumë i ri konsoliduar nga autoritet e Kosovës, pra jo vetëm nga Ministria e Ekonomisë. Pra ne si Sekretariat i kemi dhënë disa rekomandime qeverisë dhe presim që deri në qershor që këto plane për të gjitha palët kontraktuese duhet të jenë të hartuara dhe të finalizuar. Këto plane vijnë nga të ashtuquajtura rregullore për qeverisje, që është një rregullore tjetër që është pjesë e Komunitete të Energjisë, faktikisht Kosova është ligjërisht e obliguar që të ketë rregullore që përcakton pesë rregullore. Pra kjo është njëra dhe në anën tjetër e kemi edhe ligjin për ndryshime klimatike, i kemi të gjitha politikat klimatike të cilat duhet të jenë të përfshira në ligj dhe ligji është finalizuar në Kosovë kjo është një lajm i mirë dhe një arritje tjetër e rëndësishme”, tha Kllokoqi.

Sipas tij, ligji për energjinë e ripërtëritshme është finalizuar edhe kjo është arritje e rëndësishme, porse tani prioritete do të jenë që së pari të përfundojë plani me rekomandimin e planit të Sekretariatit të Energjisë.

Ndërkohë, Valentine Lassala, menaxhere e lartë për çështjet publike në kompaninë AKUO Energy, e ka quajtur lajm të mirë se në ditët e sotme të gjithë e kuptojnë se mund të prodhojnë energji elektrike të lirë, siç është ajo me erë.

“Ajo çka na bindë të punojmë me Kosovës, mendoj se sot një gjë është thelbësore që bizneset ndërkombëtare të dinë që ta kenë qartësinë e kornizës rregullative sepse këtë e presin bizneset që të vijnë dhe ta kenë bashkëpunimin e qeverisë në këtë aspekt. Kosova ka dalë që të ketë progres, shihet se po punon. Qysh nga nëntori i viti të kaluar ju me keni dhënë një broshurë të vogël me planin dy vjeçar të tenderëve, të shumës së investimeve, të teknologjisë që do të përdoret, ju faktikisht ma keni dhënë planin e Kosovës për dy vite, duket shumë e thjesht, por është shumë e qartë dhe këtë e presin bizneset. Është e mahnitshme ajo çka ka bërë Kosova dhe dëshmia është këtu”, ka thënë ajo.

Forumi i Parë i Investimeve të Qëndrueshme, organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC) ka nisur të hënën dhe do të vazhdojë punimet edhe të martën.

Të ngjashme