Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Bernard Challandes, ka pasur të plotë grupin e lojtarëve në seancën stërvitore të së martës dhe vetëm pas saj ka krijuar një pasqyrë për secilin prej lojtarëve.
Ndryshe prej stërvitjes së parë, që u mbajt të hënën dhe ishin të pranishëm vetëm 12 futbollistë, të martën ishin të gjithë të ftuarit, pos Hekuran Kryeziut, që mbeti në hotel pasi ka një lëndim të lehtë, dhe do të pushojë në ndeshjen miqësore të së enjtes, atë ndaj Danimarkës në Prishtinë.
Ai pritet të jetë gati për ndeshjen eliminatore për “Euro2020”, që luhet të hënën ndaj Bullgarisë, po në Prishtinë.
Atmosfera brenda ekipit ishte pozitive. Lojtarët u panë të lumtur për grumbullimin pas katër muajsh, ndërkohë trajneri Challandes bëri edhe disa prova në lidhje me formacionin e parë që pritet të startojë kundër Danimarkës, të enjten (19:00) në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Opsionet që Challandes i provoi gjatë seancës, që zgjati 90 minuta, ishin kryesisht në repartin e mesfushës, ku do të mungojnë Valon Berisha e Hekuran Kryeziu. Berisha nuk është lejuar nga Lazio t’i bashkohet Kosovës për shkak të gjendjes fizike, derisa Kryeziu po e merr veten.