“Kosova është falënderuese për rolin e Kanadasë në periudhat më të vështira dhe prezencës së saj ushtarake dhe humanitare në vend. Tani kjo ndihmë duhet të konkretizohet me projekte ekonomike për të cilat vendi ka nevojë dhe ka se çka ofron”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, pasi priti në takim delegacionin nga Kanadaja, të kryesuar nga ambasadori jo-rezident në Kosovë, Daniel Maksymiuk dhe Komisioneri shtetëror i gjuhëve të Kanadasë, Raymond Théberge.
Zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, dinamikat qeverisëse si dhe për procesi i integrimeve euro-atlantike për Kosovën ishin disa nga temat e diskutimit në këtë takim.
“Duke e vlerësuar mbështetjen e Kanadasë për Kosovën, në proceset e shtetndërtimit dhe konsolidimit tonë të vazhdueshëm ndërkombëtar shpreha gatishmërinë edhe për thellimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe investimeve, me theks të veçantë, investimeve në sektorin e minierave, të cilat në këtë shtet radhiten si një nga industritë primare”, tha Kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj falënderoi komisionerin Théberge për ndihmën e dhënë në sensibilizimin e rëndësisë për përdorimin e dygjuhësisë në institucionet e vendit, përmes Zyrës së Komisionerit për Gjuhët, derisa nga ambasadori Maksymiuk dhe delegacioni kanadez kërkoi thellimin e bashkëpunimit ekonomik, duke i ftuar investitorët kanadez, veçmas nga fusha e minierave që të investojnë në Kosovë.
“Kanadaja është adresa e duhur për ne, për partneritet në fushën e minierave”, tha Kryeministri Haradinaj.
Nga ana tjetër, ambasador jo-rezident në Kosovë, Daniel Maksymiuk tha se Kanadaja e konsideron Kosovën si vend mik dhe me të cilin do ta vazhdojë bashkëpunimin edhe në të ardhmen.