Delegacioni i Transportit dhe Çështjeve Detare i Malit të Zi, udhëhequr nga ministri Osman Nurkoviq, është pritur në takim nga ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se takimi është shembull i i mirë i bashkëpunimit mes dy vendeve, raporton Ekonomia Online.
Lekaj bëri të ditur se dy ministrat u dakorduan ta zhvillojnë infrastrukturën rrugore.
“Biseduam për tri çështje me rëndësi, për korridoret dhe lidhjen ajrore dhe hapësinore, dhe ajo që u dakorduam është që ta zhvillojmë infrastrukturën rrugore. Ajo që është përmendë sa i përket tunelit mes Pejës dhe Rozhajës po zhvillohet me intensitet të lartë dhe nuk janë veç fjalë”.
Ministri Lekaj tha se rëndësi u janë dhënë edhe politikave hekurudhore.
“Unë mora garancion që edhe rruga Deçan-Plavë sa u përket detyrimeve të shtetit maqedon, punët do të kryhen sipas dinamikës. Ne i kemi dhënë rëndësi të veçantë edhe politikave hekurudhore. Kjo vizitë e ministrit do të ndikojë dukshëm në zhvillimin e të gjitha projekteve, sepse pa lidhje të korridorëve nuk do të kemi zhvillim ekonomik”.
Ndërkaq, lidhur me mosnënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ai tha se po presin që të përpilohet marrëveshja, ndërkaq paralajmëroi që në korrik do të jetë e përfunduar, raporton EO.
“Sa i përket nënshkrimit të marrëveshjes për trafik apo transport ndërkombëtar, u dakorduam që të përpilojmë marrëveshjen dhe në korrik të kryhet. Nuk kemi asnjë mosmarrëveshje dhe në asnjë segment nuk e kemi kundërshtuar njëri-tjetrin”, tha ai.
Ministri i Transportit dhe Çështjeve Detare të Malit të Zi, Osman Nurkoviq, tha se takimi i sotshëm është vazhdimësi e takimeve dhe konfirmim që janë në rrugën e duhur për bashkëpunim, raporton EO.
Nurkoviq tha se projekti më i rëndësishëm që pritet të realizohet është ndërtimi i tunelit Pejë-Rozhajë.
“Sot kemi biseduar për shumë projekte që duhet të realizohen. Projekti më me rëndësi është ndërtimi i tunelit ndërmjet Pejës dhe Rozhajës. Për këtë projekt kemi biseduar që një vit e gjysmë dhe projekti ka arritur në nivelin e dy ministrave dhe shpresoj që do të realizohet”.
Ministri malazez tregoi se në këtë takim u biseda edhe për ndërtimin e një harku të ri rrugor mes Pejës dhe Rozhajës dhe për lidhjen hekurudhore të këtyre dy vendeve.
“Biseda e dytë ishte ndërtimi i një harku të ri rrugor mes Pejës dhe Rozhajës dhe lidhjen hekurudhore mes këtyre dy vendeve. Ne kemi kryer planin ideor dhe do t’ia dorëzojmë ministrit për realizimin e tij. Kemi biseduar edhe për largimin e taksës kufitare mes dy vendeve, këtë e kemi identifikuar si barrierë që i pengon bizneset dhe për këtë çështje kemi përkrahjen e qeverive. Kjo do ta ngrisë qarkullimin e pasagjerëve dhe marrëdhënieve mes dy shteteve. Kemi biseduar për lidhjen e një marrëveshjeje për transport dhe besoj që do ta nënshkruajmë në korrik”, tha ai.
Ai tha se tuneli Pejë-Rozhajë do ta financohet nga qeveritë përkatëse.