Zëvendësministri Lirak Çelaj është duke qëndruar për një vizitë zyrtare në Zagreb, ku është duke marr pjesë në Konferencën me temën “Trajtimi i terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”.
Kjo konferencë e organizuar në RACVIAC – Qendra për Bashkëpunim dhe Siguri në bashkëpunim me RCC – Këshilli për Bashkëpunim Rajonal dhe OSBE – misioni në Bosnje dhe Hercegovinë ka bërë bashkë në Zagreb përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme nga Evropa Juglindore.
Në këtë konferencë u diskutuan edhe sfidat me të cilat ballafaqohen shtetet e rajonit në luftën kundër terrorizmit dhe u cek se kjo nuk është një lloj i ri i kërcënimit, por një tjetër fytyrë e terrorizmit. Po ashtu u përmend fakti se e vetmja mënyrë për t`u përballuar me terrorizmin është bashkëpunimi më i ngushtë mes shteteve.
Gjatë kësaj konference, përfaqësuesit e shteteve pjesëmarrëse u dakorduan se komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë si një front i bashkuar kundër të gjitha formave të terrorizmit dhe se nuk mund të ketë justifikim për terrorizëm, dhe se lufta kundër terrorizmit nuk mund të jetë selektive.
Me një qëndrim të ngjashëm ju drejtua edhe zv. Ministri Çelaj të pranishmëve i cili shpalosi punën e bërë nga Ministria e Drejtësisë në parandalimin dhe ri-integrimin e luftëtarëve të kthyer nga vendet e luftës. Ai, po ashtu shpalosi punën që është duke u bërë në Shërbimin Korrektues të Kosovës me programe të ndryshme dhe përkrahje nga institucione ndërkombëtare. “Ministria e Drejtësisë dhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të vendosura në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, tha Çelaj.
Gjatë kësaj konference do të vazhdojnë diskutimet mbi adresimin e zgjidhjeve të mundshme dhe praktikave më të mira në menaxhimin e kufirit me një fokus në identifikimin e Luftëtarëve të huaj terrorist në rrugën e tyre nga zonat e luftës, si dhe identifikimin e mënyrave të mundshme për të krijuar programe adekuate, afatgjate, rehabilituese dhe ri-integruese, në veçanti për individët të cilët janë identifikuar dhe ndjekur penalisht si luftëtarë të huaj terrorist.