Kishte shpresë se te skuadra e madhe austriake, Red Bull Salzburg po zhvillohej lideri i ardhshëm i mbrojtjes së Kosovës. Albert Vallqi (Vallci) vërtet po zhvillohet te gjiganti austriak, por ai nuk pritet të jetë asnjëherë mbrojtës i përfaqësueses së Kosovës në futboll.
Vallqi të martën është përfshirë në përfaqësuesen e Austrisë për dy ndeshjet e ardhshme. Ai është me prejardhje nga Kosova dhe për të ishte raportuar se ka shprehur interesim pos Kosovës edhe Shqipëria. Dhe interesimi i dy përfaqësueseve shqiptare mund të ketë rritur gjasat e tij që të ftohet nga Austria. Austria ka përfshirë në ekip një lojtar të rritur në sistemin e futbollit të këtij vendi, që lehtë ka mundur të përfundojë te Kosova apo te Shqipëria, shkruan sot Koha Ditore.
Me Vallqin edhe një herë konfirmohet se përfaqësuesja e “dardanëve” nuk është opsion i parë për të gjithë lojtarët nga Kosova apo me rrënjë nga Kosova. Rejtingu i Kosovës është rritur me sukseset e fundit, por jo të gjithë lojtarët e zgjedhin atë kur kanë mundësi të luajnë si për Kosovën ashtu edhe për ndonjë përfaqësuese tjetër. Lista e lojtarëve të tillë nuk është e shkurtër.
Të paktën prej vitit të kaluar Vallqi ishte në listat e përgjegjësve të përfaqësueses së Kosovës në futboll. Këtë në muajin shkurt e kishte bërë të ditur Bajram Shala, menaxher i përfaqësueses së Kosovës. Në shkurt kontakti i Kosovës me Vallqin ekzistonte tashmë.
Në mars është mbajtur një takim i përzgjedhësit Bernard Challandes dhe menaxherit Shala me lojtarin dhe përfaqësuesin e tij. Drejtuesit e përfaqësueses vlerësuan pas atij takimi se kishin marrë sinjale pozitive nga Vallqi dhe se mbrojtësit i kishte pëlqyer projekti i Kosovës. Por Vallqi nuk kishte dhënë përgjigje të prerë se do t’i bashkohej Kosovës. Kishte kërkuar kohë për të menduar.