Qeverisja e Kurtit dhe Osmanit: Nga një vend me sfida për zhvillimin ekonomik dhe integrime euro-atlantike, Kosova kthehet në një çështje të sigurisë për aleatët.
Nga shpallja e pavarësisë, kemi punuar shumë qeveri pas qeverie për ta hequr Kosovën nga lista e vendeve me probleme të sigurisë. Në bashkëpunim të ngushtë me aleatët, janë marrë vendime të vështira dhe jopopullore, por që e përafronin Kosovën me perëndimin. Merrnim njohje të reja, anëtarësoheshim në mekanizma ndërkombëtarë, bëheshim pjesë e iniciativave rajonale e ndërkombëtare, duke e betonuar hap pas hapi të ardhmen euro-atlantike të Kosovës. Stabiliteti politik, integrimi i brendshëm i komuniteteve, normalizimi i marrëdhënieve rajonale e veprime të tjera i siguronin Kosovës zhvillim ekonomik e progres në rrugën e integrimit euro-atlantik. Rrjedhimisht, arritëm që Kosovës ta hiqnim nga lista e vendeve me probleme të sigurisë dhe ta vendosim në listën e vendeve me sfida për zhvillim ekonomik e për anëtarësim në BE dhe NATO. Jam i bindur se kjo ka qenë politika më e mençur për integrimin euro-atlantik të Kosovës.
Për fat të keq të popullit të Kosovës, dogmat politike të Kurtit e Osmanit dhe konfrontimi i tyre me aleatët-garantuesit e sovranitetit të Kosovës për rendin e veprimeve në veri e kthyen Kosovën në çështje të sigurisë për NATO-n dhe BE-në, si dhe për aleatin kryesor të Kosovës, SHBA-në. Sigurisht se këtë situatë e përdori Serbia me tendencë për të krijuar një vatër të re krize në Evropë, siç dëshmohet me sulmin terrorist të 25 shtatorit 2023.
Rrjedhimisht, shefi i CIA-s detyrohet të zbarkojë në Prishtinë. Ai do të duhej të zbarkonte në Bosnjë dhe Serbi, por jo në Kosovë. Kosova do të duhej të kryente të gjitha koordinimet me SHBA-në siç ka vepruar gjithmonë, përmes Ambasadorit në Prishtinë, me Departamentin e Shtetit e me Shtëpinë e Bardhë.
Në Kosovë do të duhej të zbarkonin kompani amerikane e evropiane për projekte zhvillimore të autostradave e hekurudhave, të gazit, të projekteve private në fusha nga më të ndryshmet, të gjitha këto të parapara në Marrëveshjen e Washingtonit të 4 shtatorit 2020 e në Marrëveshjen për Nxitje të Investimeve Kosovë-SHBA të 31 dhjetorit 2020.