Kosova i ka besuar ShBA-së andaj e ka votuar Gjykatën Speciale, edhe sot do të vepronin njëjtë

Prishtinë | 16 Dhj 2022 | 20:57 | Nga Adil Behramaj

Kosova i ka besuar SHBA-së, prandaj edhe e ka votuar themelimin e Gjykatës Speciale. Ata që i kanë besuar nuk i kanë shikuar interesat personale.

E kanë votuar duke e ditur që vetë janë shënjestra të saj. Na kujtohen edhe sulmet e ulëta të opozitës së atëhershme, pushtetit të sotëm. Por, as atëherë, as tani, nuk pritet më shumë prej tyre.

Të qenit shtetar dallon shumë nga të qenit pushtetar. Këta të fundit, shpejt harrohen.

Ata që e kanë votuar, shtetin e kanë vendosur para vetes dhe veç mendjet mediokre, ato që asokohe u thoshin që për shokët e tyre po e krijojnë Gjykatën Speciale, nuk arrijnë ta kuptojnë këtë.

A kanë gabuar që i kanë besuar SHBA-së, duke e ditur që vetë janë targete kryesore?

Jam i bindur që edhe sot do të vepronin njëjtë. Sepse, SHBA-ja është hisedare kryesore në çlirimin, pavarësinë dhe shtetndërtimin tonë.

Ua kanë kërkuar t’ia japin besimin për t’i hetuar e gjykuar, ua kanë dhënë, pavarësisht kostos politike e personale që e kanë ditur se mund ta paguajnë.

Prandaj, mbahuni pak, sepse edhe Salih Mustafa që sot është dënuar me 26 vjet burg po qëndron më i fortë.

Është e turpshme që në ditë të tilla të lëshohemi në debate, jo unë nuk e kam votuar, jo ata e kanë votuar.

Ky është debat fëmijëror kur bëhet fjalë për shkelje të të drejtave të njeriut, deformim të misionit të asaj gjykate apo tendencës politike të saj!

Të ngjashme