Marrëveshja për Stabilizim Asociim, të mërkurën ka shënuar një vjetorin e miratimit në Kuvendin e Kosovës. Por, të mirat që pritej t`i sillte kjo marrëveshje Kosovës, nuk kanë ndodhur dhe kjo falë ministrive përkatëse që nuk i kanë kryer obligimet e tyre që dalin nga marrëveshja e MSA-së.
Kështu është shprehur anëtarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Time Kadriaj për “Indeksonline”. Ajo ka thënë se vetëm 30 për qind e ministrive i kanë kryer detyrat e veta, andaj jo serioziteti i treguar nga ministritë ka çuar në ngecje të marrëveshjes.
“Ministri të caktuara i kanë marrë obligimet ndaj kësaj marrëveshje dhe kryerjen e detyrave në implementimin e marrëveshjes, por në një konferencë të organizuar nga Komisioni për Integrimeve dhe në disa raporte të organizatave monitoruese të Kuvendit ka rezultuar se këto ministri nuk i kanë kryer detyrat dhe nuk i kanë realizuar të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshja e MSA-së. Është një përqindje e vogël, diku 30 për qind, sepse nuk e kanë marrë me seriozitet ministritë e caktuara. Në realizimin e asaj tryeze i kemi thirrë këto ministri dhe u kemi kërkuar që të jenë më të angazhuar në përmbushjen e këtyre obligimeve”, është shprehur ajo.
Sipas saj, pas MSA-së ka pasur shpresë edhe për liberalizim të vizave, por çështjet si demarkacioni dhe mos luftimi i korrupsionit kanë bërë që kosovarët të mos lëvizin lirshëm.
Kadriaj ka thënë se krejt kjo rrjedhë prej dështimit të qeverisë në realizimin e kërkesave të BE-së që qytetarëve të Kosovës të u lejohet lëvizja e lirë.
“Kemi pasur shpresë për liberalizim të vizave në këto procese, por edhe kjo për shkak të situatës së krijuar në Evropë, situata e refugjatëve, mos luftimi i krimit e korrupsionit dhe në fakt demaskimi i vijës kufitare, kanë qenë një pjesë që na kanë larguar nga ty, dhe krejt kjo është si dështim i qeverisë në realizimin e të gjitha kërkesave të BE-së në mënyrë që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm. Jemi munduar të negociojmë të gjithë deputetët pa dallime politike që qytetarët të lëvizin lirshëm. Populli kosovar është shteti më evropian nga të gjithë popujt në rajon”, ka thënë Kadriaj.
Ajo ka folur edhe për rrugën e anëtarësimit të Kosovës në BE, ku e ka vlerësuar atë si rrugë të gjatë për të cilën nevojitet bashkëpunim me vendet të cilat kanë kaluar nëpër hapat që po kalon Kosova.
Kadriaj ka thënë se tashmë në Kuvendin e Kosovës, secili ligj që miratohet kërkohet që të jetë në përputhshmëri me ligjet e BE-së.
“Anëtarësimi në BE është një rrugë e gjatë. Në të gjitha takimet që po i zhvillojmë po kërkojmë bashkëpunim, i kemi pasur disa eurodeputetë nga vendet e rajonit që na kanë treguar për rrugën që vetë ata kanë kaluar deri në anëtarësimin në BE. Ne po mësojmë nga përvojat e tyre në mënyrë që ne t`i kalojmë më lehtësi. Në Kuvendin e Kosovës secili ligj që miratohet i kërkohet edhe deklarata e përputhshmërisë me ligjet e BE-së”, është shprehur ajo.
Sipas Kadriajt, Kosova do të kërkojë përkrahje nga Brukseli dhe vendet anëtare të BE-së për çështjet që janë të rëndësishme për Kosovën.