Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë hartoi për herë të parë një publikim të veçantë për treguesit kryesorë mbi turizmin në Shqipëri, shkruan sot Koha Ditore.
Nga ky studim rezulton se shpenzimet e turistëve të huaj në Shqipëri nuk kanë ndonjë ndryshim të madh nga shpenzimet që bëjnë shtetasit shqiptarë jashtë Shqipërisë, ku diferenca është vetëm 2.2% të PBB (Prodhimi i Brendshëm Bruto) në favor të shpenzimeve të turistëve të huaj në Shqipëri.
Shpenzimet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit të tyre kapin shifra të konsiderueshme. Kështu që, në periudhën 2013-2017, 22.6 milionë shtetas të Shqipërisë (rezidentë) kanë dalë jashtë vendit dhe kanë shpenzuar rreth 6.8 miliardë euro. Sipas studimit të INSTAT-it dhe Bankës së Shqipërisë, shpenzimet e turistëve të huaj në Shqipëri arritën në afro 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2017.