Kosova me renditje historike në FIFA, ngjitet për pesë pozita

Prishtinë | 26 Tet 2023 | 10:53 | Nga Ekonomia Online

Kosova është ngjitur për pesë pozita në ranglistën e FIFA-s për kombëtare.

Me këtë ngjitje, kombëtarja jonë ka arritur edhe pozitën më të mirë ndonjëherë që prej pranimit në FIFA e UEFA, raporton Klankosova.tv.

Kosova, pas ndeshjeve kualifikuese për Euro2024 renditet në pozitën e 105-të, që është më e mira ndonjëherë.

Në ranglistën e shtatorit, Kosova renditej e 111-ta.

Kombëtarja në tetor zhvilloi vetëm një përballje, ndonëse në kalendar i kishte dy.

Ndeshjen me Andorrën, djemtë e Kosovës e fituan me rezultat bindës 3-0, ndërsa përballja me Izraelin, e planifikuar të zhvillohej më 15 tetor, u shty pas sulmit brutal të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor.

Megjithatë, ka mjaftuar kjo fitore që ekipit të Primozh Glihas t’i jepet kredit dhe të shënojë ndër ngritjet më të mëdha të kombëtareve në këtë rivlerësim të FIFA-s.

Megjithatë, në top-treshe nuk ka ndryshime: Argjentina mban vendin e parë bindshëm me 8.18 pikë, e ndjekur nga sfiduesi më i afër, Franca. Pas tyre është Brazili, por që rrezikohet nga Anglia në vendin e katërt.

Belgjika është në pozitën 5, Portugalia në të 6-tin, Holanda (7), Spanja (8), Italia (9) dhe Kroacia në të 10-tin.

Të ngjashme