Kosova ka mirëpritur Shqipërinë në Munih, në Konsullatën e Përbashkët që është hapur nga të dyja shtetet ku kanë marrë pjesë edhe ministrat e jashtëm, Hoxhaj dhe Bushati.
Në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës, nga sot do të fillojë së funksionuari edhe ajo e Shqipërisë, në një objekt të përbashkët ndërsa prerjen e shiritit pos Hoxhajt dhe Bushatit, e ka bërë edhe Ministrja për Çështje Evropiane e Bavarisë, Beate Merk, njofton kumtesa nga PPJ e Kosovës.
Në përurimin e konsullatës Kosovë-Shqipëri në Mynih, ka marrë pjesë edhe Rifat Jashari.
Në fjalën e tij, Hoxhaj e ka falënderuar Bacën Rifat për praninë duke thënë se pa sakrificën e familjes Jashari, asgjë nuk do të ishte e mundur, as shteti i Kosovës e as Konsullata e Përbashkët.
“As unë si ministër i Jashtëm i Kosovës, as ministri i Jashtëm i Shqipërisë, por askush tjetër nuk do të ishte këtu në këtë konsullatë pa rolin dhe kontributin e Bacës Rifat dhe familjes Jashari. Këto janë dëshmia më e mirë se sa rrugë të gjatë kanë bërë shqiptarët, edhe në Kosovë edhe në Shqipëri për ta bërë një shtet të pavarur të Kosovës, që ka qenë projekt i krejt shqiptarëve, edhe të Kosovës edhe të Shqipërisë. Ne do të hapim edhe ambasada e konsullata të përbashkëta, por prania e Bacës Rifat i jep një kuptim tjetër kësaj konsullate” ka thënë Hoxhaj.
Ministri Bushati ka falëndëruar ministrin Hoxhaj për mundësinë që edhe Shqipëria të përfaqësohet nga sot me shërbime konsullore në Konsullatën e Përbashkët duke paralajmëruar edhe aktivitete të ardhshme të këtij karakteri.
Nga ana e saj, ministrja e Bavarisë për Çështje Evropiane, Merk ka falendëruar të pranishmit dhe është shprehur e lumtur që në Bavari po hapet një konsullatë e përbashkët Kosovë-Shqipëri e cila do të jetë promotor edhe i bashkëpunimit në shumë fusha të tjera ndërmjet këtyre dy vendeve dhe Bavarisë.
Në përurimin e konsullatës kanë marrë pjesë shumë qytetarë nga Kosova dhe Shqipëria që jetojnë në Bavari dhe personalitete të rëndësishme gjermane të jetës publike.
Janë paralajmëruar edhe hapja e konsullatave të përbashkëta në Danimarikë dhe Turqi, ndërsa më herët është hapur në Milano dhe Bari.
Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj paradite ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik për Ballkanin Perëndimor të organizuar nga dhomat e tregtisë të Mynihut dhe Bavarisë së Epërme, si dhe qeverisë së këtij shtet.