Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, prezantoi sot në mbledhjen e Qeverisë raportin vjetor të donatorëve, që për vitin 2016, kap shumën e përgjithshme të asistencës prej 174 milionë Euro.
Të dhënat tregojnë se sektori që ka pranuar më shumë ndihmë në aspektin e fondeve të disbursuara është Qeverisja dhe Shoqëria Civile me mbi 57 milionë Euro ose 30%, e të gjithë asistencës zhvillimore të ofruar për Kosovë në vitin 2016.
Sektorët e tjerë që kanë pranuar asistencë të konsiderueshme përfshijnë Ujin dhe Kanalizimin me 24 milionë Euro, Arsimi me 17.6 milionë Euro, Infrastruktura dhe shërbimet e tjera Sociale me 10 milionë Euro dhe Biznes dhe Shërbime të tjera me 9.5 milionë Euro.
Donatori më i madh vazhdon të jetë Bashkimi Evropian, i cili raportohet të ketë kontribuar rreth 61 milionë Euro gjatë periudhës raportuese. Donatori i dytë më i madh është Shtetet e Bashkuara të Amerikës e cila ka disbursuar 33.6 milionë euro, pasuar nga Gjermania me rreth 19 milionë euro gjatë vitit të njëjtë.
Po ashtu, përkrahja finanicare është bërë edhe në komuna, fondet e përgjithshme të alokuara për 38 komunat e Kosovës ka arritur shumën 52.7 milionë Euro.
Ministrja Hoxha falënderoi të gjithë donatorët për asistencën e tyre për institucionet e Republikës së Kosovës, e cila asistencë po ndihmon reformat dhe zhvillimin e mëtejmë të institucioneve dhe vendit tonë, por gjithashtu theksoi nevojën për koordinimin sa më të mirë të donatorëve që të reflektojnë ndaj prioriteteve të Qeverisë dhe përmbushjen e planit të punës së Qeverisë.