Kosova tërësisht jashtë procesit të zgjerimit evropian, sot i ngjajmë një shteti bunker të izoluar nga BE-ja

Prishtinë | 22 Mar 2024 | 11:48 | Nga Enver Hoxhaj

Vendimi i djeshëm i Këshillit Evropian për t’i hapur negociatat për anëtarësim me Bosnjen dhe Hercegovinën është një lajm i madh për këtë shtet. Por, është një lajm i shumë i keq për Kosovën, sepse, në fakt tregon se ne kemi mbetur tërësisht jashtë procesit të zgjerimit evropian dhe sot më shumë i ngjajmë një shteti bunker të izoluar nga BE-ja dhe nën sanksionet e saj. Nga Ballkani deri në Evropë Lindore, Kosova futet në rang me Bjellorusinë dhe raporti i Kosovës me BE-në është mjerisht i njëjti me atë të Bjellorusisë!

Pas kësaj ftese dhe vendimi të BE-së, Bosnja i bashkohet Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi e Serbisë në marrëdhënin e saj të re dhe në shpejtësi tjetër të anëtarësimit në BE, ku edhe një vend si Ukrania që është në luftë dhe Gjeorgjia e Moldavia, kanë marrë statusin e kandidatit dhe Kosova jo, duke mbetur pas këtyre, ngjashëm me Bjellorusinë, të izoluar dhe madje të dënuar me sanksione.

Ky është dështimi më i madh i Kosovës në politikën e jashtme dhe në reforma të brendshme, të cilin as në ëndrrën më të keqe nuk kam mundur ta imagjinoj!

(Autori ka qenë ministër i Jashtëm i Kosovës, aktualisht nënkryetar i Kuvendit të Kosovës)

Të ngjashme