Plejmejkeri i Z Mobile Prishtinës, amerikani Divine Myles, pritet të bëhet i natyralizuari i radhës te Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll.
Natyralizimi i Mylesit do të bëhet me kërkesën e përzgjedhësit Damir Mullaomeroviq për ndeshjet e raundit shtesë të parakualifikimeve për “Eurobasket 2021”, që do të zhvillohen prej 3 deri më 21 gusht të këtij viti. Mullaomeroviq tashmë ka biseduar me Mylesin, i cili ka shprehur dëshirën për të bartur fanellën e Kosovës.
Kosova në këtë raund do të përballet me Britaninë e Madhe dhe Luksemburgun në kuadër të Grupit G, shkruan sot Koha Ditore.
Fituesi i grupit do ta sigurojë një vend në kualifikimet për “Eurobasket 2021”. Kosova parakualifikimet e rregullta për “Eurobasket 2021” i përfundoi e fundit në Grupin B, pas Maqedonisë e Rumanisë. Pësoi katër humbje në po aq ndeshje.
Kështu që, raundi shtesë i parakualifikimeve është mundësia e fundit për të qenë pjesë e kualifikimeve për ngjarjen evropiane të basketbollit në vitin 2021.