Përfaqësuesja U-21 e Kosovës në hendboll (meshkujt) duhet të fitojë pesë ndeshje me përfaqësuese të kontinenteve të tjera për të arritur suksesin që nuk e ka arritur ende ndonjë përfaqësuese e Kosovës në sportet ekipore – të sigurojë paraqitjen në kampionat botëror.
Është faza interkontinentale e garës IHF Trophy në të cilën Kosova U-21 do ta prezantojë Evropën, ndërsa fituesi i kësaj gare kualifikohet direkt në botërorin e juniorëve që mbahet në Spanjë në korrik të këtij viti.
Për nga niveli i hendbollit, Evropa qëndron dukshëm para kontinenteve të tjera, dhe ky fakt e bën favorite Kosovën për të fituar, të paktën në letër. Gjasat e Kosovës rriten edhe më shumë meqë IHF Trophy Intercontinental do të organizohet në Prishtinë.
Prej 9 deri më 15 prill në kryeqendrën e Kosovës do të luajnë përfaqësueset që kanë fituar garën IHF Trophy në kontinentet e tyre. Pos Kosovës, në turneun e 21-vjeçarëve do të luajnë edhe Nigeria, Taipei Kinez, SHBA-ja, Australia e Paraguai. Gara IHF Trophy Intercontinental organizohet edhe për grupmoshën U-19, por që vendi i parë nuk ka shpërblim kualifikimin në botëror si te 21-vjeçarët. Te 19-vjeçarët do të garojnë Kosova, Nigeria, Taipei Kinez, Kanadaja, Zelanda e Re e Paraguai.
Kosova është përfaqësuese e Evropës në këtë garë për faktin se ka fituar IHF Trophy për Evropë, që u mbajt vjeshtën e kaluar në Prishtinë për grupmoshën U-20 e U-18. Ajo gjeneratë tani luan në grupmoshat U-21 e U-19.