Kosova në IBSA Xhudo Grand Prix me xhudist për herë të parë

Prishtinë | 30 Pri 2026 | 17:48 | Nga Ekonomia Online

Komiteti Paralimpik i Kosovës (KPK) dhe Federata e Sporteve për të Verbër e Kosovës (FSVK) kanë formalizuar bashkëpunimin përmes nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi për pjesëmarrjen e parasportistit Ardian Sopa, sportist i verbër, në garën ndërkombëtare IBSA Xhudo Grand Prix që do të mbahet në Astana, Kazakistan.

Kjo pjesëmarrje shënon një moment historik për Kosovën, pasi për herë të parë vendi ynë do të përfaqësohet në këtë nivel me një xhudist në një garë ndërkombëtare të kësaj kategorie, duke hapur një kapitull të ri për zhvillimin e xhudos për personat me aftësi të kufizuara.

Ky bashkëpunim synon të sigurojë një organizim të plotë të pjesëmarrjes, duke përfshirë të gjitha aspektet organizative, administrative dhe teknike që lidhen me pjesëmarrjen, përgatitjen sportive dhe aspektet logjistike, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi në avancimin e sportit për personat me aftësi të kufizuara: “Ky memorandum është një hap konkret drejt fuqizimit të parasportit në Kosovë dhe krijimit të mundësive reale për sportistët tanë që të garojnë në skenën ndërkombëtare. Mbështetja për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare është jetike për zhvillimin e sportistëve dhe përfaqësimin dinjitoz të vendit tonë.”

Kryetari i Federatës së Sporteve për të Verbër e Kosovës, Rinor Ymeri, u shpreh: “Ky bashkëpunim është dëshmi e angazhimit të përbashkët për zhvillimin e sportit për personat e verbër. Përmes këtij koordinimi, ne po krijojmë kushte më të mira për përgatitjen dhe pjesëmarrjen e sportistëve tanë.”

Parasportisti Ardian Sopa theksoi: “Dua të falënderoj Komitetin Paralimpik të Kosovës, Federatën e Sporteve për të Verbër dhe trajnerin tim Anton Cena për mbështetjen e vazhdueshme. Kjo mundësi për mua nuk është vetëm një garë, por një ëndërr që po bëhet realitet. Do të jap gjithçka nga vetja për të përfaqësuar Kosovën me krenari dhe për të treguar se asnjë pengesë nuk mund ta ndalë vullnetin dhe përkushtimin.”

Ndërsa trajneri Anton Cena shtoi: “Përgatitjet për këtë garë janë intensive dhe kërkojnë përkushtim maksimal. Mbështetja institucionale është thelbësore për të arritur rezultate dhe për të ngritur nivelin e performancës.”

Komiteti Paralimpik i Kosovës dhe Federata e Sporteve për të Verbër e Kosovës shprehin mirënjohje të veçantë për trajnerin Anton Cena për angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe vullnetar, i cili ka qenë thelbësor në përgatitjen e sportistit.

Realizimi i kësaj pjesëmarrjeje mbështetet edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në kuadër të përkrahjes për zhvillimin e sportit dhe përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës.

Të ngjashme