Kosova në qendër të kritikave nga raporti ndërkombëtar: Papunësi e lartë, vlerësim i ulët në PISA, ajër i ndotur

Prishtinë | 22 Pri 2022 | 16:59 | Nga Ekonomia Online

Arsimi me cilësi të lartë, kohezioni social dhe një rimëkëmbje e gjelbër u identifikuan si dimensionet më të rëndësishme për krijimin e mundësive të reja dhe për përmirësimin e cilësisë së jetës së njerëzve në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Kosovë, sipas botimit të dytë të Rishikimit Shumëdimensional (MDR) të Ballkanit Perëndimor i prezantuar sot në Prishtinë.

Kosova ndodhet në një udhëkryq të rëndësishëm në trajektoren e saj të zhvillimit. Me një normë mesatare prej 4.9%, rritja ekonomike e Kosovës ka qenë më e larta në Ballkanin Perëndimor në katër vitet para fillimit të pandemisë me Covid.

“Kosova gjithashtu ka bërë hapa të rëndësishëm drejt ndërtimit të institucioneve. Si rezultat, standardet për jetesë janë përmirësuar. Është bërë përparim në nxitjen e të nxënit më të orientuar në kompetencë përmes zhvillimit të kurrikulës së bazuar në kompetencë. Për ta çuar përpara qëndrueshmërinë mjedisore, disa dokumente strategjike i përvijojnë politikat energjetike dhe klimatike të saj, duke përfshirë Programin e Reformës Ekonomike të Kosovës 2021-2023 dhe Strategjinë për Ndryshimet Klimatike 2019-2028. Për ta promovuar përdorimin e energjive të ripërtëritshme, Kosova tashmë ka krijuar disa mekanizma mbështetës të burimeve të ripërtëritshme, duke përfshirë një skemë të matjes neto për vetë-konsumatorët e burimeve të rinovueshme (prosumator) dhe tarifat nxitëse (feed-in tariffs)”, thuhet në raport.

Megjithatë, sfidat sociale dhe mjedisore në ekonomi mbeten të ngutshme. Suksesi i nxënësve në Kosovë në Programin e OECD-së për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) në vitin 2018 ishte ndër më të ulëtat në Evropë, vijon raporti.

Sondazhet e punëdhënësve vazhdimisht tregojnë për vështirësi të konsiderueshme në punësim për shkak të mungesës së aftësive që variojnë nga aftësitë teknike deri tek ato meta-konjitive.

“Papunësia mbetet e lartë, kurse shumica (69.1%) e personave të papunë e gjejnë veten në këtë gjendje për një vit ose më gjatë. Rezultatet e dobëta të tregut të punës prekin veçanërisht të rinjtë dhe gratë”, thuhet në raport.

Kur bëhet fjalë për energjinë, Kosova ka pjesën më të madhe të përdorimit të thëngjillit për prodhimin e energjisë elektrike në Ballkanin Perëndimor dhe humbjet më të larta të transformimit të energjisë, me 36% të konsumit primar të energjisë. Intensiteti i karbonit në kombinim me nivelet e ulëta të efikasitetit të energjisë prodhon ndotje të konsiderueshme të ajrit në Kosovë.

Rishikimi Shumëdimensional i Ballkanit Perëndimor propozon prioritete për rritjen e perspektivës së zhvillimit të Kosovës.

“Zhvillimi i kompetencave kryesore të nxënësve dhe të rriturve është çelësi për krijimin e mundësive për qytetarët. Duke pasur parasysh popullsinë e saj të madhe të re dhe pjesëmarrjen e ulët në tregun e punës, rritja e kompetencave vendase mund të krijojë më shumë mundësi punësimi dhe ta forcojë pjesëmarrjen qytetare. Kosova ka dokumente strategjike, akte nënligjore dhe plane veprimi solide për sigurimin e cilësisë në arsim. Fokusi tani duhet të jetë në zbatim, i cili përfshin forcimin e kapaciteteve në nivel lokal, rritjen e numrit të koordinatorëve për sigurimin e cilësisë në shkolla dhe forcimin e mekanizmave për të punuar me kompanitë, duke përfshirë mësimin e bazuar në punë. Përmirësimi i përgatitjes së mësuesve, duke përmirësuar formimin fillestar të mësuesve dhe duke ofruar mundësi për zhvillim të vazhdueshëm profesional, duhet të jetë një tjetër prioritet”, thuhet në raport.

Për ta nxitur kohezionin social, raporti thotë se Kosova duhet t’i japë përparësi forcimit të lidhjeve ndërmjet sistemit të formimit të aftësive dhe nevojave të tregut të punës. Për ta rritur më tej pjesëmarrjen në tregun e punës, veçanërisht në kuadër të grave dhe grupeve të rrezikuara, është e rëndësishme që të adresohet gjithashtu mangësia ekzistuese për pushimin e lehonisë dhe të ofrohen opsione për pushimin e atësisë, si dhe të ndërmerren veprime kundër diskriminimit. Kosova ka një sistem unik të mbrojtjes sociale, me pensione sociale universale dhe mbështetje të ardhurave si mjet i fundit që i kompensojnë mekanizmat e sigurimeve shoqërore që mungojnë. Ndërsa kjo ka dobi për sa i përket mbulimit, mungesa e përfitimeve të lidhura me punësimin e financuar duket se e kufizon mbrojtjen e punëtorëve dhe krijon stimuj të pafavorshëm në tregun e punës.

Së fundi, ajri më i pastër dhe më shumë qasje në energji të qëndrueshme janë shumë të rëndësishme për përmirësimin e cilësisë së jetesës në Kosovë dhe për ta bërë atë një vend tërheqës për të jetuar, punuar dhe investuar në të. Kosova mund të arrijë përfitime të rëndësishme me zvogëlimin e emetimeve dhe qasjen në energji duke e bërë efiçencën energjetike prioritet të politikave, duke e forcuar financimin për efiçencën e energjisë në ndërtesa dhe duke nxitur sisteme ngrohjeje me energji më efiçente. Kosova ka filluar ta shfrytëzojë potencialin e saj të konsiderueshëm për burimet e ripërtëritshme jo të përhershme, si dielli dhe era. Për të vazhduar tutje mbi këtë progres fillestar, ajo duhet ta përmirësojë mjedisin mundësues dhe të zhvillojë mekanizma mbështetës të bazuar në treg për burimet e ripërtëritshme, t’i eliminojë subvencionet e mbetura për qymyrin, si dhe ta bëjë më felksibil sistemin e saj të energjisë elektrike. Gjithashtu, është me rëndësi që të zvogëlohen humbjet e mëdha të transmisionit dhe shpërndarjes.

Rishikimi Shumëdimensional (MDR) i Ballkanit Perëndimor është një kombinim i vlerësimeve të pesë ekonomive: Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Të ngjashme