Kosova nënshkruan kontratën me “Contour Global” për ndërtimin e TC “Kosova e Re”

Prishtinë | 20 Dhj 2017 | 12:10 | Nga Valbona Bytyqi

Në një ceremoni ku merrnin pjesë drejtuesit e institucioneve të vendit është nënshkruar marrëveshja komerciale për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikane “Contour Global”.

Në një fjalim para nënshkrimit të marrëveshje, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se sot është një ditë historike sepse pas 16 vitesh të përpjekjeve është arritur në pikën kulminante – nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e termocentralin “Kosova e Re”.

“Marrëveshja përfundimisht e zgjidh një problem qenësor për Kosovën. Kjo marrëveshje është vazhdimësi e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, theksoi presidenti.

“Ky investim me një vlerë mbi 1 miliard euro, vetëm në fazën e parë të projektit do të krijojë 10 mijë vende të reja të punës”, shtoi Thaçi,

Kryeparlamentari Kadri Veseli e vlerësoi këtë si një ditë të veçantë për qytetarët e Kosovës. Sipas tij, pas shpalljes së pavarësisë është e rëndësishme të bëhet dhe pavarësimi ekonomik.

“Marrëveshja do të ngjallë debate, por është e mirë sepse po ecim përpara. I thërras investitorët që të vijnë të investojnë në Kosovë, sepse Kosova është një vend i sigurt dhe me perspektivë për të investuar”, u shpreh Veseli.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka përshëndetur shkurt tëç gjithë ata që kanë punuar që të arrihet deri te ky nënshkrim. “Mbështes fjalët që i thanë presidenti dhe kryeparlamentari. Do të vazhdojmë me punë”, u shpreh Haradinaj.

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Greg Delawie, tha se ky është një projekt i madh që do ta ndihmojë zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Ky sukses është meritë e shumë njerëzve. ‘Countour Global’ ka punuar palodhshëm për të arritur deri këtu”.

Delawie tha se termocentralet aktuale të Kosovës janë të vjetra dhe nuk janë të sigurta. Ndërsa, ky projekt, sipas tij, do të jetë me standardet më të larta ndërkombëtare për sa i përket ruajtjes së mjedisit.

Ai ftoi thirrje investitorëve të huaj që të shohin Kosovën si vend potencial për investime.

“Mund të ju siguroj që ShBA-ja do të vazhdojë të ju mbështesë sikurse kemi bërë tash e shumë vjet”.

Joseph Brandt, drejtor Ekzekutiv i “Contour Global”, kompania e cila ka fituar tenderin për ndërtimin e TC “Kosova e Re”, tha se janë të gatshëm të shkojnë tutje me këtë projekt.

Ai tha se termocentralet aktuale “Kosova A” dhe “Kosova B” nuk duhej të ishin në funksion për shkak të vjetërsisë. “Megjithatë, ato duhet të funksionojnë sepse pa to nuk do të kishte energji të mjaftueshme elektrike”, tha Brandt.

Detaje nga marrëveshja:

Marrëveshja komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” parasheh një investim prej 1.3 miliard euro për të jetësuar njësinë e re prej 500 megavatesh brenda një periudhe katërvjeçare.

“Contour Global” do të sigurojë kapitalin (30% të vlerës se projektit) dhe kreditë e institucioneve ndërkombëtare financiare duke e bërë këtë investimin më të madh të realizuar ndonjëherë në Kosovë.

Qeveria e Kosovës thekson se ndërtimi i këtij termocentrali i jep pavarësi energjetike Kosovës dhe do ta zvogëlojë varësinë nga çmimi i paparashikueshëm të energjisë në tregun rajonal.

Krahas sigurisë në furnizim me energji, misioni i njësisë së re do të zëvendësojë dhe njësitë e vjetra prodhuese të TC “Kosova A”.

Termocentrali “Kosova e Re” do të ndërtohet në përputhje me standardet mjedisore të Direktivave të Bashkimit Evropian. Me teknologji të re super-kritike, njësia do të ketë efiçencën neto më të madhe se 40.0% duke përdorur sistemet më të fundit të djegies së brendshme dhe të kontrollit të cilësisë së ajrit. Kjo nënkupton konsum më të vogël të linjitit dhe rrjedhimisht emetim më të ulët. Masat e tjera që do të merren gjatë këtij procesi për të vënë nën kontroll ndotjen përfshijnë mbylljen e TC “Kosova A” dhe rehabilitimin e TC “Kosova B”.

Në fazën e dytë, pas nënshkrimit të Marrëveshjeve Komerciale, ContourGlobal do të shpallë një proces ndërkombëtar të prokurimit për të përzgjedhur kompaninë e cila do të ndërtojë impiantin e termocentralit “Kosova e Re”. Bëhet e ditur se deri më sot, interesim kanë shfaqur kompani me shtrirje globale si General Electric, Mitsubishi Hitachi, Siemens, Doosan, etj.

TC “Kosova e Re” parashikohet të vihet në punë në vitin 2023, ndërsa Qeveria e Kosovës do ta marrë në pronësi impiantin pas një periudhe 20-vjeçare dhe pa asnjë kosto. Jetëgjatësia e termocentralit është llogaritur 40 vjet, periudhë e mjaftueshme tranzitore drejt sigurimit të kapaciteteve të prodhimit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme.

Të ngjashme