Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, po merr pjesë në takimin e nivelit të lartë të iniciativës për Konektivitet me Gaz të Evropës Qendrore dhe Juglindore (CESEC) që po mbahet në kryeqytetin e Rumanisë – Bukuresht, me ç’rast palët kanë nënshkruar edhe Memorandumin e Mirëkuptimit që plotëson iniciativën e Konektivitetit me Gaz të Evropës Qendrore dhe Juglindore (CESEC) me një Qasje të përbashkët për zhvillimin e tregut të energjisë elektrike, efiçiencës së energjisë dhe burimeve të ripërtëritshme.
Ky takim i nivelit të lartë ka bërë bashkë zyrtarë të lartë BE-së, ministrat e linjës së 9 vendeve anëtare të BE-së dhe anëtarët e Komunitetit të Energjisë, ku bën pjesë edhe Republika e Kosovës.
Komisioni Evropian si ndërmjetësues i këtij procesido të ndihmojë shtetet në fjalë në formë të granteve dhe kredive të buta për të përmirësuar infrastrukturën e gazit, energjisë dhe për të rritur efiçiencën e energjisë, me qëllim të arritjes në nivelin e shteteve të zhvilluara të Bashkimit Evropian.
Kreu i MZHE-së i ka dhënë mbështetje iniciativës për zgjerimin e rrjetit të Gazit për Evropën Qëndrore dhe Juglindore, ku përveç gazit përfshihet edhe energjia elektrike fushë kjo që e bënë Kosovën palë të rëndësishme në këtë proces.
Ministri Lluka ka rikujtuar edhe iniciativën që Kosova të jetë pjesë e rrjetit të gazit TAP. “Marr në konsideratë që Kosova aktualisht nuk e ka të zhvilluar sektorin e gazit për shkak se nuk jemi ende të lidhur me ndonjë rrjet të gazit, së fundi së bashku me Shqipërinë kemi filluar një studim për të parë mundësitë e konektimit me rrjetin Tap”, tha ministri.
Kreu i MZHE-së theksoi se Kosova do t’a ndihmojë këtë proces, si pjesë e bashkëpunimit rajonal dhe më gjerë, në kuadër të Traktatit të Komunitetit të Energjisë (TKE).
Memorandumi i Mirëkuptimit synon që t’i arrijnë objektivat e mëposhtme:
-Zhvillimi i një tregu të madh dhe më konkurrues rajonal në Evropën Juglindore, për të shtuar sigurinë e furnizimit me energji me kosto sa më të ulët për konsumatorë;
– Zhvillimi i infrastrukturës elektroenergjetike me qëllim të integrimit të tregut rajonal;
– Siguria e furnizimit me energji elektrike, përfshi sigurinë kibernetike dhe menaxhimin e krizave;
-Arritja e caqeve obligative për Energjinë e Ripërtëritshme;
– Rritja e efiçiencë së energjisë si vegël për të rritur sigurinë e furnizimit dhe zvogëlimin e emetimit të gazrave serrë.
Ky Memorandum Mirëkuptimi plotëson dokumentin mbi Qasjen e Përbashkët në Trajtimin e sfidave të diversifikimit të gazit natyror dhe sigurisë së furnizimit, si pjesë e nismës së Konektivitetit të Evropës Qendrore dhe Juglindore (CESEC) të datës 10 korrik 2015.