Kosova ka mungesë të ujit dhe për këtë arsye duhet zhvillimi i resurseve të reja, ka thënë të martën përfaqësuesi i Këshillit ndërministror për ujëra, Baton Begolli, në mbledhjen e Komisionit parlamentar për bujqësi, shkruan sot Koha Ditore.
Komisioni në mbledhje ka shqyrtuar strategjinë shtetërore për ujëra në Kosovë 2017-2036, si dhe raportin vjetor për vitin 2017 nga Autoriteti rregullator për ujëra.
Sipas Begollit, me kapacitetet aktuale që ekzistojnë në Kosovë është e pamundur që të përmbushen të gjitha kërkesat për furnizim me ujë.
“Ne jemi nevojtarë për zhvillimin e resurseve të reja ujore, sepse me këto kapacitete nuk mundemi me i përmbush kërkesat. Këto që i kemi duhet me i mbrojtur, sepse nuk kemi mjaft ujë. Strategjia përpiqet t’i trajtojë këto dy çështje”, ka deklaruar Begolli para Komisionit teksa e ka prezantuar Strategjinë shtetërore për ujëra në Kosovë 2017-2036.