Kosova posedon 1 mijë e 600 deri në 2 mijë metër kub ujë për kokë banori

Prishtinë | 22 Mar 2019 | 10:31 | Nga Ekonomia Online

Dita botërore e ujit, 22 marsi, Kosovën e gjen në pozitë jo të kënaqshme sa i përket gjendjes së ujërave.

Sipas hulumtuesve nga organizata Ballkan Green Foundation, vendi ynë posedon 1 mijë e 600 deri në 2 mijë metër kub ujë për kokë banori, derisa shfrytëzimi i tij është shumë i lartë. Apel për kursimin të ujit kanë bërë edhe përfaqësues të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, ndërsa Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka bërë disa plane rreth përmirësimit të kësaj gjendjeje.

Kosova ka sasi të ulët të ujit për kokë banori, ndërsa pjesa më e madhe e ujërave ekzistuese përmban ndotje industriale, por edhe bakteriologjike.

Kështu ka bërë të ditur një nga hulumtuesit e kësaj fushe nga Organizata Ballkan Green Foundation, Besfort Kosova, i cili në Ditën Botërore të Ujit, tha për Radio Kosovën se gjendja e ujit në vend nuk është e mirë.

“Gjendja e ujërave në Kosovë nuk është e mirë aspak. Kosova është e varfër sa i përket sasisë së ujërave në përgjithësi. Për kokë banori diku është rreth 1,600 metër kub deri në 2 mijë metër kub, varësisht prej të reshurave dhe shfrytëzimi i ujit është shumë i theksuar sidomos në rrafshin e Fushës së Kosovës, por në rrafshin e Dukagjinit ka më tepër ujëra edhe për shkak të terrenit”, tha Kosova.

Por, edhe kjo sasi e ujit, sipas Besfort Kosovës, është e pashëndetshme dhe jo në nivelin e duhur shëndetësor.

“Fatkeqësisht ujërat janë tepër jo vetëm të mbi shfrytëzuara por edhe të ndotura, sidomos me mbetje të ndryshme të rënda, mbetje industria,e që vije nga Feronikeli, KEK-u, edhe trajtimi i ujërave të zeza nuk ndodh në nivelin e duhur dhe të kënaqshëm, pra, ka edhe ndotje bakteriologjike shumë të madhe të ujërave. Gjenda në përgjithësi e ujërave në Kosovë është shumë e keqe, edhe mungesa ujit është shumë e theksuar”, shtoi ai.

Ndërsa, se gjendja me ujë të pijes nuk është e kënaqshme, e ka theksuar edhe menaxhmenti i Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, ku përmes një njoftimi për medie ka bërë të ditur se niveli i ujit në liqenin e Badovcit dhe Bakllavës ka rënë rreth 4 metra nën nivelin e duhur.

Zëdhënësja e Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku, bëri thirrje që qytetarët ta kursejnë ujin në masë më të madhe.

“Edhe pse nuk është alarmante por është një shenjë që nga kjo periudhë të fillojmë ta shfrytëzojmë racionalist ujin e pijshëm. Po thuajse nga gjysma e vitit të kaluar e deri tash kemi mungesë të reshjeve atmosferike dhe po të mos ishte marrja e ujit fillestar nga Liqeni i Ujmanit, nivelet e tanishme do të ishin dukshëm më të ulëta”, tregoi Mjeku.

Ndërkohë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka hartuar disa projekte për përmirësimin e gjendjes së ujërave por edhe shtimin rritjen e sasisë së tij.

Zëdhënësi i kësaj ministrie, Leutrim Sahiti, tha për Radio Kosovën Ministria ka planifikuar rregullimin e shtretërve të lumenjve dhe mbrojtjen e rezervave të ujit.

“Duke marrë parasysh që Kosova ka mungesë të rezervave ujore, kemi iniciuar ndërtimin e dy hidrosistemeve në Kamenicë dhe Suharekë në mënyrë që t’i rrisim këto rezerva të ujit duke e pasur parasysh që kemi mungesë të ujit sidomos në periudha kur ka thatësira më të mëdha. Pos këtyre ne jemi duke e realizuar projekte edhe në fushën e trajtimit të ujërave të zeza, qoftë në rregullimin e kanalizimeve por edhe të ujësjellësit”, sqaroi Sahiti.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, 22 marsin do ta shënojë edhe me disa aktivitete sensibilizuese për ruajtjen e ujit dhe kursimin e tij.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme