Kosova aktualisht e ka të garantuar pjesëmarrjen me nëntë sportistë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.
Gjashtë prej tyre janë me normë olimpike, pesë nga xhudoja dhe një nga mundja, derisa me ftesë të garantuara i ka dy, një nga sporti i notit dhe një nga atletika.
Por, zyrtarë nga Komiteti Olimpik i Kosovës pretendojnë që në Tokio, këtë vit, të shkojnë me një ekip edhe më të madh sportistësh, gjithsej 12.
Sekretari Përgjithshëm i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj, pret që normë olimpike të fitojnë edhe në karate, boks dhe not.
“Pritjet janë edhe nga Federata e Boksit dhe ajo e Karatesë. Nuk është e pamundur norma olimpike edhe nga notari Arti Krasniqi në 10 kilometra, në ujë të hapur. Përndryshe, atletika dhe noti presin të marrin ftesa edhe nga organizatori e po ashtu jemi në pritje të së paku një ftese nga komisioni trepalësh i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Pra, në total, pritjet tona janë që ne të përfaqësohemi me dhjetë deri 12 sportistë në Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’. Me normë presim të shkojmë me gjashtë deri shtatë norma”, ka thënë Haxhijaj të enjten për Kohën Ditore.
Ai ka shtuar se është i kënaqur me numrin e sportistëve që kanë fituar normë deri më tash, derisa ka premtuar edhe mbështetje gjatë rrugëtimit deri në Tokio. Lojërat Olimpike do të mbahen nga 25 korriku deri më 9 gusht në Japoni.