Kosova, Shqipëria e Kroacia kanë nënshkruar Deklaratën e Bashkëpunimit Trepalësh Ushtarak.
Kështu ka bërë të ditur Ministri Mbrojtës së Shqipërisë, Pirro Vengu i cili priti homologët e tij nga Kosova e Kroacia.
Vengu tha se kjo deklaratë synon të forcojë aftësitë mbrojtëse të tre vendeve.
“Bashkë me homologët nga Kosova dhe Kroacia nënshkruajmë Deklaratën e Bashkëpunimit Tripalësh Ushtarak, e cila synon të forcojë aftësitë mbrojtëse të tre vendeve, të rrisë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe të përmirësojë ndërveprimin ushtarak përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta”, ka shkruar tutje ai.
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka thënë se synimi i bashkëpunimit nuk është kërcënim për askënd, por mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë rajonin.
“Synimi i këtij bashkëpunimi nuk është rast kërcënimi për askënd, është mesazh për ata qe synojnë të kërcënojnë rajonin, ne u tregojmë qe jemi së bashku dhe nuk do te lejojmë qe askush të destabilizon rajonin. Falënderoj ministrin e Shqipërisë dhe Kroacisë për ketë nisme, vlerësoj se kjo marrëveshje është e para trilaterale ne rajon. Edhe njëherë, kjo marrëveshje është Deklaratës, është mesazh për çdo vend i cili ka qellim destabilizimin, ne jemi bashke dhe presim qe te bashkohen edhe vende te tjera”, ka thënë Maqedonci.
Ky memorandum i nënshkruar ka për qëllim promovimin e bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes dhe industrisë së mbrojtjes, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimit dhe ushtrimeve, kundërveprimim ndaj kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë strategjike, ofrimin e mbështetjes së plotë për integrimin Euro-Atlantik dhe atë të mbrojtjes rajonale.