Kosova ka mundësi për prodhimin e energjisë së ripërtërishme, sidomos nga era, por nuk po i shfrytëzon, thotë Besfort Kosova nga “Balkan Green Foundation” në një intervistë për Ekonomia Online.
Kosova bën të ditur se aktualisht në vend prodhohen rreth 135 megavatë energji elektrike nga era, por kapaciteti i instaluar është nga 600-1000 megavatë, kurse prodhimi mund të shkojë deri afër 3000 gigavatë orë energji elektrike në vit.
Sipas tij, edhe për energji solare ka kapacitet të madh, mirëpo aktualisht janë vetëm rreth 10 megavatë kapacitet i instaluar.
Sa i përket prodhimit të rrymës nga uji, Kosova thotë se Liqeni i Ujmanit ka një kapacitet shumë të kufizuar – me rreth 88 Gigavatë orë energji në vit.
“Prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë fatkeqësisht për momentin është rreth 5 për qind nga energjia e ripërtritshme. Mundësitë janë shumë të mëdha sidomos nga era. Për momentin Kosova i ka rreth 135 megavat energji që prodhohet nga energjia e erës ndërsa potenciali është diku afër 600 megavat deri në 1000 megavat kapacitet i instaluar, kurse prodhimi mund të shkojë deri afër 3000 gigavat orë për vjet. Natyrisht që kjo ka sfidat sa i përket balancimit dhe inkorporimit në rrjet të cilët pastaj duhet të zgjidhen me anën e përmirësimit të rrjetit për inkuadrimin e kësaj energjie të ripërtritshme edhe balancimin e saj, por natyrisht që ka potencial shumë të madh dhe sa i përket energjisë solare të cilën Kosova e ka shumë të zhvilluar”.
“Natyrisht se ka shumë potencial edhe sa i përket energjisë solare të cilën Kosova e ka shumë pak të zhvilluar. Për momentin janë rreth 10 megavat kapacitet i energjisë elektrike i instaluar, ndërsa potenciali është jashtëzakonisht shumë i madh. Sidomos sa i përket shfrytëzimit të kulmit të shtëpive rezidenciale për prodhim të energjisë elektrike që është një potencial shumë pak i shfrytëzuar, afër 4 megavat prej 400 megavat që ne e konsiderojmë si organizatë”.
“Energjia e ripërtritshme në Kosovë për momentin çalon sa i përket aspektit strategjik të politikave shtetërore të cilat ende nuk janë definuar sa i përket caqeve indikative, por mbi të gjitha mungon edhe ligji për burimet e ripërtritshme të energjisë i cili është në draft dhe duhet të miratohet sa më parë por pastaj duhet të ketë edhe politika të cilat e nxisin sa më shumë zhvillimin e energjisë me erë sepse energjia me erë ne e konsiderojmë që është potenciali kryesorë i burimeve të ripërtritshme të energjisë dhe është një potencial i pashfrytëzuar”
“Liqeni i Ujmanit ka një kapacitet shumë të kufizuar sa i përket prodhimit të energjisë elektrike”, tha Kosova.
“Është rreth 88 Gigavat orë energji në vit, ndërsa kërkesat e Kosovës për energji elektrike janë rreth 6 mijë GWH. Pra është një kapacitet simbolik i prodhimit të energjisë elektrike. Vlera e drejtpërdrejtë pra vlera më e rëndësishme e Ujmanit është sa i përket prodhimit të ujit i cili përdoret edhe për ujësjellës të Prishtinës, por është me rëndësi edhe për ekonominë e vendit. Shfrytëzimi i Ujmanit për energji elektrike nuk është se ka shumë ndikim sa i përket stabizilimit të energjisë elektrike në vend dhe ofrimit të ndonjë potenciali të madh për energji elektrike”.
“Balkan Green Foundation” si organizatë mjedisore mendon që thëngjilli nuk duhet të shikohet si mundësi që ofron zgjidhje afatgjatë sa i përket burimeve të energjisë, por të largohet gradualisht nga përdorimi.
Sipas tij, me mjete buxhetore vetanake është shumë vështirë të realizohet ndërtimi i një termocentrali për shkak të subvencionimit të energjisë elektrike i cili kap vlerën rreth 150 milionë euro këtë vit.
“Ne mendojmë që si organizatë mjedisore që avokon për politika rajonale ne mendojmë që qymyri i përket të shkuarës. Shumë shtete janë duke u larguar nga thëngjilli. Thëngjilli nuk duhet të shikohet si mundësi që ofron zgjidhje afatgjatë sa i përket burimeve të energjisë për shkak se ne si vend do të vendosemi si vend që do të paguajë edhe taksën e karbonit. Nëse vendoset të investohet në thëngjill kam frikë se do të jetë investim që do të krijojë më tepër kushte të cilat do të ndërlidhen me mungesën e transparencës gjatë ndërtimit të termocentralit”.
“Me mjete buxhetore vetanake është shumë vështirë të realizohet një termocentral për shkak të subvencionimit të energjisë elektrike i cili kap vlerën rreth 150 milion euro këtë vit dhe një termocentral kushton afër 600 milion euro. Prandaj mjetet janë të pamjaftueshme”, tha ai.