Tetë sportistë kanë përfaqësuar Kosovën në Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Ishte debutim i vendit në Lojërat Olimpike Verore, ngjarjen bindshëm më të madhe sportive. Edicioni i ardhshëm i Lojërave Olimpike mbahet në Tokio të Japonisë, prej 24 korrikut deri më 9 gusht të këtij viti.
Me shumë mundësi Kosova do të dërgojë në Tokio delegacion me numër më të madh sportistësh se që kishte në Rio të Brazilit katër vjet më parë. Tetë sportistë tashmë janë të garantuar, ndërsa ka gjasë që edhe ndonjë tjetër të shtohet në listë në muajt e ardhshëm, shkruan sot Koha Ditore.
Në Rio, Kosova kishte vetëm dy sportiste me normë të fituar, xhudistet Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova. Gjashtë të tjerët ishin me ftesa, që nuk janë vetëm të një lloji. Për Tokio numri i normave është shumë më i madh, ndërsa numri i ftesave pritet të jetë më i vogël. Por prapë numri i olimpistëve kosovarë pritet të jetë më i madh, sesa në Rio.
Aktualisht pesë xhudistë janë në zonën që ofron normë olimpike për “Tokio 2020”. Gjasat që ndonjëri prej tyre të dalë nga kjo zonë thuajse nuk ekzistojnë. Për më tepër, xhudoja e synon edhe normën e gjashtë me Laura Fazliun, që kështu do t’u bashkohej Majlinda Kelmendit, Nora Gjakovës, Distria Krasniqit, Loriana Kukës e Akil Gjakovës. Laura duhet të ketë suksese të mëdha në muajt e ardhshëm për të hyrë në zonën që ofron normë.
Pos pesë xhudistëve me normë, është e sigurt që Kosova do të marrë edhe tri ftesa, dy për not e një për atletikë. Në Rio nga atletika me ftesë garuan Musa Hajdari e Vijona Kryeziu, ndërsa në not, po me ftesë, ishin Lum Zhaveli e Rita Zeqiri. Nga zyra për media e KOK-ut, të hënën, është bërë e ditur se për not kanë mbetur dy ftesa, ndërsa për atletikë do të ndahet vetëm një ftesë. Këto ftesa ndahen në emër të universalitetit për vendet që nuk sigurojnë norma olimpike. Gjasat që Kosova të ketë normë në atletikë e not nuk vlerësohen të mëdha. Në atletikë do të marrin pjesë atleti apo atletja më e ranguar e vendit. Ndërsa në not do të marrin pjesë një garues dhe një garuese, me kusht që ata të marrin pjesë në Botërorin e këtij viti.