Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll të hënën mbrëma zhvilloi seancën e fundit përgatitore në Prishtinë para nisjes për në Botevgrad të Bullgarisë.
Përfaqësuesja të martën (sot) do të niset drejt Botevgradit ku të mërkurën nga ora 17:00 do të luajë me Bullgarinë në kuadër të eliminatoreve për “Eurobasket 2017”, shkruan sot “Koha Ditore”. Për Kosovën kjo do të jetë ndeshja e tretë zyrtare.
Trajneri i Kosovës, Arben Krasniqi, dhe dy prej basketbollistëve më të mirë, Dardan Berisha e Drilon Hajrizi, janë shprehur optimistë para sfidës. Të gjithë shpresojnë që Kosova të arrijë fitoren e parë zyrtare.
Kosova në ndeshjen e parë pësoi nga Sllovenia në Lubjanë me shifrat 113:68, të mërkurën e kaluar, ndërsa të shtunën në Mitrovicë luajti shumë më mirë, por pas telasheve në pesë minutat e fundit pësoi nga Ukraina me shifrat 70:63.
Përzgjedhësi Krasniqi tha se Kosova ishte e pafat në ndeshjen ndaj Ukrainës. Por ai shpreson që ajo e cila nuk u arrit në Mitrovicë të arrihet në Botevgrad të Bullgarisë.