Kosova po vlerësohet si një vend i përshtatshëm për përhapjen e lajmeve të rreme. Sipas studiuesve të medieve dha gazetarëve, audienca nuk është shumë e edukuar për të dalluar lajmet e paverifikuara, ndërkohë që qytetarët kanë qasje të madhe në internet dhe medie të ndryshme online.
Shumë qytetarë kanë rënë pre e lajmeve të rreme të publikuara në medie online, sidomos gjatë pandemisë.
Kriza ekonomike që ka shkaktuar pandemia Covid-19 nxiti dhe përhapjen e shumë informatave të paverifikuara për çështje si tërheqja e 10-përqindëshit nga Trusti Pensional dhe riorganizimi i pagesave të kredive nëpër bankat komerciale.
Zëdhënësi i Trustit: Zyrat tona u vizituan nga shumë njerëz pas lajmeve për 10-përqindëshin
Zëdhënësi i Trustit Pensional të Kosovës, Jeton Demi, thotë për Ekonomia Online se në zyrat e tyre ka pasur fluks të madh të qytetarëve që i kanë vizituar, pasi Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike ishte diskutuar në Parlament. Disa muaj pas, projektligji që parasheh mes tjerash mundësinë e tërheqjes së 10 për qind të kontributeve ka kaluar vetëm në lexim të parë.
Sipas tij, interesim dhe vizita të njerëzve presin edhe pas miratimit të ligjit. Për të shmangur pritjet e gjata dhe grumbullimin e qytetarëve, ky institucion po përgatitet që aplikimi të bëhet online.
Jeton Demi, zëdhënësi i Trustit Pensional
“Për shkak të pandemisë, por edhe fluksit të madh që pritet të ketë për të aplikuar sipas rasteve që i kemi pasur më herët kur ka pasur deklarime që procesi do të jetë i shpejtë, kemi pasur fluks të madh të kontribuuesve që na kanë vizituar. Por, duke pasur parasysh situatën që e kemi, pritet që kontribuuesve t’iu jepet mundësia që të aplikojnë përmes internetit. Nuk do të kenë nevojë që fizikisht të vizitojnë zyrat e Trustit”, ka thënë Demi.
Albert Maxhuni, shef i kabinetit të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka thënë se keqinformimi rreth pakove të rimëkëmbjes ekonomike ka sjellë kokëçarje edhe për ta.
Ai thotë se MTI e ka parë të nevojshme që të informojnë bizneset rreth pakove dhe kush përfiton, para se ato të miratohen.
“Duke marr parasysh të gjitha problemet që ka shkaktuar deri më tani Covid-19, Qeveria e Kosovës dhe ministri Krasniqi kanë arritur t’i shtyjnë disa projekte interesante për zhvillimin dhe ndihmë bizneseve të Kosovës”.
“Sa i përket keqinformimit apo lajmeve të rrejshme rreth pakos emergjente, konsideroj se për shkak të nevojës për t’i informuar bizneset dhe qytetarët e Kosovës, ka qenë nevojë imediate që të informohet rreth asaj se çfarë do të jetë pakoja emergjente dhe cilët sektorë dhe cilat biznese do t’i prekë. Konsiderojmë që MTI ka arritur të menaxhojë pjesën e saj. Vazhdimisht kemi qenë afër bizneseve”, është shprehur Maxhuni.
Albert Maxhuni, MTI
Paqartësi si pasojë lajmeve të publikuara nëpër portale të ndryshme dhe rrjete sociale ishin krijuar edhe nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) dhe Shoqatës së Bankave të Kosovës për shtyrjen e pagesës së kredive, në fillim të pandemisë.
Pas lajmeve të pakonfirmuara, BQK u detyrua të saktësojë nëpërmes një njoftimi se vetëm “kredimarrësit të cilët janë në pamundësi për pagesë të këstit të kredisë do të mund të mos e paguajnë këstin e tyre nga data 16 mars 2020 deri më datë 30 prill 2020”.
“Këstet e papaguara do të jenë subjekt i pagesës pas kalimit të situatës së krijuar, që nënkupton që afati i maturimit të kredisë do të shtyhet gjithashtu për një muaj”, thuhej në komunikatën e BQK-së, pas raportimeve në disa medie se pagesa e kredive shtyhet për të gjithë të interesuarit pa ndonjë pagesë shtesë.
Gazetarja e Ekonomisë, Albulena Mavraj, thotë se gjendja e rëndë ekonomike që është në Kosovë, ka bërë që shumë qytetarë sidomos gjatë kohës së pandemisë, shpresat t’i drejtonin nga Qeveria për ndonjë ndihmë. Sidomos, me padurim e kanë pritur, tërheqjen e kursimeve të tyre pensionale.
Albulena Mavraj, gazetare
Dhe kur interesimi i opinionit për një temë të caktuar është i madh nuk mungojnë as dezinformatat – disa që bëhen me qëllim e disa nga mungesa e informacioneve, thekson ajo.
“Meqenëse në Kosovës kemi një standard jo të mirë jetësor dhe pagat në sektorin privat mbeten akoma për t’u dëshiruar, qytetarët e Kosovës, sidomos në kohë pandemia lëshuan sytë nga Qeveria e Kosovës dhe prisnin kur do t’i merrnin benefitet në bazë të asaj që iu premtoi Qeveria e Kosovës. Interesimi më i madh i tyre ishte se ku do ta marrin 10-përqindëshin nga Trusti, sikur u ishte premtuar”, tha ajo.
Sipas Mavrajt, Kosova është vonuar në miratimin e pakove të rimëkëmbjes ekonomike. Ajo rikujton se në Kosovë ende nuk miratuar Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe Kosova mbetet në hapat fillestarë. Për krahasim, Maqedonia Veriore, një shtet fqinj, i cili nuk kanë ndonjë ekonomi shumë më të zhvilluar se Kosova, tashmë ka aprovuar masën e katërt ekonomike.
Zeneli: Lajmet e rreme përhapen aty ku ka terren
Alban Zeneli, ligjërues në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se audienca në Kosovë është pak e edukuar rreth medieve dhe funksionimit të tyre, pasi në sistemimin parauniversitar në Kosovë, nuk mësohet për mediet. Kjo, sipas tij, bën që në Kosovë të ketë hapësirë të mëdha të shpërndarjes së lajmeve të rreme.
Alban Zeneli, ligjërues në Departamentin e Gazetarisë
“Lajmet e rreme përhapen aty ku ka terren. Terreni i përshtatshëm për t’u përhapur këto lajme lidhet me mungesën e njohurive të audiencës për t’i ‘dekoduar’ ato lajme dhe mos besuar. Në një audiencë si e jona, e cila nuk ka mësuar në shkolla për mediet dhe nuk di si të sillet ndaj lajmeve të rreme – pra iu beson apriori, është një terren i mirë i përhapjes së këtyre lajmeve”, ka thënë Zeneli, për Ekonomia Online.
Ai shprehet se këto lajme kanë efekt tek audienca e cila nuk është në gjendje të bëjë dallimin ndërmjet një lajmi të verifikuar të besuar dhe atij të rremë.
“Një audiencë e cila nuk mund ta dallojë lajmin e rremë, sjelljen e saj e ka jokompatibile ose jo të përshtatshme në shoqëri, sepse sjellje e bazon në bazë të informatës të gabuar që e ka marrë”.
Sipas Zenelit, janë disa mënyra që qytetarët të mbrohen nga këto lajme: Edukimi medial të jetë lëndë obligative në sistemin parauniversitar, mediet serioze në Kosovë të identifikojnë dhe të denoncojnp lajmet e rreme, si dhe një sensibilizim në masat e gjera të shoqërisë.
“Ka disa mënyra, por që mund të grumbullohen në tri sfera kryesore: E para: Edukimi në medie duhet të jetë një lëndë obligative në shkollimin tonë parauniversitar, meqë të rinjtë tanë e përdorin gjashtë-fish më shumë se të rinjtë e Bashkimit Evropian rrjetet sociale. Edhe pse ka një përdorim kaq të madh në shkolla në planprograme, ka shumë pak mësime për mediet dhe ato që janë – tashmë janë të tejkaluara”.
“E dyta: Mediet serioze duhet të krijojnë brenda redaksive të tyre njësi të cilat merren me denoncim të lajmeve të rreme, sepse në këtë mënyrë ato bëjnë dallimin me mediume që bëjnë dezinformimin a po përhapin lajme të rreme”.
“E treta: Shoqëria civile, bota akademike, duhet të merren me sensibilizimin në masa të gjera të shoqërisë të cilat nuk janë të përfshira në procesin mësimor”, është shprehur Zeneli.
“Kosova me shtrirje të gjerë të internetit – e rrezikuar nga lajmet e rreme”
Shkëlzen Osmani, kryeredaktori i platformës Hibrid.info, e cila merret me verifikimin e lajmeve të rreme, thotë se audienca në Kosovë është mjaftë e rrezikuar nga lajmet e rreme, për shkak të qasjes së madhe që kanë qytetarët në internet dhe media online.
Ai thotë se përmes këtyre lajmeve qytetarët po dezinformohen dhe po bien pre nga informacione të tilla.
Shkëlzen Osmani, Hibrid.info
“Audienca në Kosovë, mund të themi se është mjaft e rrezikuar prej lajmeve të rreme, duke pasur parasysh që në territorin e Kosovës ka shtrirje të gjerë të internetit. Sipas studimeve të fundit rreth 96 për qind të qytetarëve të Kosovës kanë qasje në internet dhe si rrjedhojë e kësaj janë konsumues të lajmeve që shpërndahen. Kosova është e rrezikuar nga prezenca dhe konsumimi i lajmeve të rreme. Efekti i tyre mund të jetë i shumëfishtë, pasi qytetarët dezinformohen dhe bien pre e shumë lloje të lajmeve të rreme”, është shprehur Osmani.
Sipas tij, publikuesit e lajmeve të rreme kanë për qëllim përfitime financiare, apo që përcjellin agjenda të ndryshme të grupacioneve politike ose ekonomike.
“Janë disa krijues të lajmeve të rreme. Ata që kanë për qëllim të përfitojnë nga lajmet e rreme, kryesisht përftim financiar; por edhe nga ata që përcjellin disa agjenda politikë të grupeve të interesit apo bizneseve”, ka thënë Osmani.
Dukuria e përhapjes së lajmeve të rreme në Kosovë, që bëhet kryesisht nëpërmes rrjeteve sociale, gjen shprehje sidomos gjatë fushatave zgjedhore.