Numri i migrantëve që vullnetarisht po e lënë Gjermaninë për t’u kthyer në vendet e tyre të lindjes po shkon duke u rritur dhe policia vazhdimisht e më shumë po refuzon hyrjen e njerëzve nëpër kufij, shkruajnë mediat gjermane të mërkurën duke cituar statistikat zyrtare.
Deri më tani këtë viti, rreth 55,000 migrantë kanë lënë Gjermaninë vullnetarisht për t’u kthyer në vendet e tyre të origjinës, që shënon edhe shifrën më të lartë në 16 vjetët e fundit, shkruan e përditshmja gjermane “Süddeutsche Zeitung”. Këto shifra pothuajse kanë dyfishuar numrin e deportimeve të dhunshme të rreth 25,000 migrantëve gjatë këtij viti, transmeton Koha.net.
Shumica e migrantëve vijnë nga Ballkani Perëndimor, me rreth 15,000 sosh të kthyer në Shqipëri deri në muajin nëntor. Kjo është pasuar edhe me nga 5 mijë migrantë tjerë të kthyer vullnetarisht në Kosovë, Serbi dhe Irak. Shifrat e publikuara janë të bazuara në dokumentet e brendshme nga Zyra Federale për Migrim dhe Refugjatë (BAMF) në Gjermani.
Njerëzit nga Ballkani kanë pak shanse për të fituar të drejtën e qëndrimit të përhershëm në Gjermani. Duke u kthyer vullnetarisht në vendet e tyre të origjinës, ata shmangin deportimin e dhunshëm dhe ndalimin e përhershëm për hyrje në Gjermani.
Ata, në këtë rast, edhe mund të përfitojnë përkrahje monetare. Një familje migrante me pesë anëtarë nga Afganistani, për shembull, mund të përfitojë 4,200 euro veç shpenzimeve për fluturim, për udhëtim dhe para tjera që mund të shkojnë në mes të 1 mijë deri në 3 mijë euro për person. Gjermania, çuditërisht e ka cilësuar Afganistanin si “vend të sigurt të origjinës” dhe kohë më parë ka rritur numrin e dëbimit të migrantëve nga ky vend.