Kosovën po e ngulfat krimi ekonomik, nepotizmi e korrupsioni

Prishtinë | 08 Sht 2016 | 09:58 | Nga

“Kemi shumë akuza të hapura për krim e korrupsion, por kemi shumë pak të dënuar, gjë që flet për paaftësinë apo mosgatishmërinë e hetuesisë dhe gjyqësorit”.

Kriza ekonomike në Kosovë, i ka rrënjët thellë që nga çlirimi i Kosovës, thekson analisti politik Leon Duhanaj.

Sipas tij, edhe përkundër faktit se në Kosovë janë bërë investime marramendëse nga donacione të shumta ndërkombëtare, nuk kemi arritur që investimet t’i çojmë në adresat e duhura, apo t’i orientojmë drejtë një zhvillimi të mirëfilltë ekonomik.

E për këtë ai thotë se arsyet për shumë dështime janë të shumta:

“Fillojnë më administratën e UNMIK-ut, e cila në masë të madhe ka qenë e korruptuar dhe një mentalitet e ka gjetur edhe këtu tek ne, gjë që është kultivuar edhe më shumë”, thotë Duhanaj.

Ai më tej shton se, procesi i privatizimit, po ashtu është shndërruar në një proces korruptiv.

“Vet mënyra e trajtimit të ndërmarrjeve të shumta në vend gjatë procesit të privatizimit, ka qenë jashtëzakonisht e dëmshme për Kosovën dhe ekonominë e sajë. Ndërmarrjet publike dhe shoqërore, janë tjetërsuar dhe degraduar në atë masë sa që shumica absolute e tyre janë shndërruar në resurse për tregtim, duke ua pamundësuar fuqisë punëtore që të vazhdojnë punën, duke i shndërruar në të papunë dhe në raste sociale”, thekson Duhanaj.

Analisti Duhanaj pohon se, zhvillimi ekonomik në vend ka pësuar luhatje të vazhdueshme, varësisht nga ndryshimet në qeverisje, duke mos pasur një projekt të çartë ekonomik. Sipas ti, krimi ekonomik dhe korrupsioni masiv në vend janë shndërruar në kancer të vërtet për ekonominë e vendit.

“Edhe përkundër shumë nismave, shumë taskforcave dhe shumë agjendave deklarative për luftë kundër krimit dhe korrupsionit, në fakt nuk ka ndodhur ndonjë zhvillim konkret pozitiv në këtë aspekt. Kemi shumë akuza të hapura për krim e korrupsion, por kemi shumë pak të dënuar, gjë që flet për paaftësinë apo mosgatishmërinë e hetuesisë dhe gjyqësorit”, thotë ai.

Ai pohon se, edhe nga çarqet ndërkombëtare, kushtëzimet më të forta në raport me integrimet e Kosovës drejtë BE-së, siç është edhe çështja e liberalizimit të vizave, janë kryekëput të lidhura me luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Kosova ka resurse të mrekullueshme qoftë natyrore, qoftë humane për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, por nuk do të arrimë në nivelin e duhur përderisa kemi kaq shumë krim ekonomik në vend, kaq shumë nepotizëm dhe kaq shumë korrupsion”, përfundon Duhanaj./InfoPress/

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme