Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në kuadër të fushatës “Drejtësia dhe Biznesi”, ka marrë pjesë në tryezë diskutimi me stafin akademik të Fakultetit Juridik për themelimin e një Gjykate Komerciale – Tregtare.
Tahiri tha se aktualisht për marrjen në proces të lëndëve komerciale apo ekonomike, aktualisht janë kapacitete të mangëta, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, Kosova ka nevojë për Gjykatë Ekonomike, por nuk ka gjyqtarë të profilizuar në këtë fushë.
Ministri i Drejtësisë mori shembull Dhomën e Veçantë në kuadër të Gjykatës Supreme.
“Republikës tonë do t’i nevojitet një gjykatë ekonomike, që të adresojnë problemet. Por nëse nuk kemi gjyqtarë të profilizuar për këtë gjykatë, mund edhe të thellojmë problemin. Ne kemi pasur një Dhomë të Veçantë në Supreme, ku trajtonte çështjet, dhe ishte krijuar që të jetë më efikas, por mos profilizimi i gjyqtarëve s’ka qenë efikas, d.m.th kjo dhomë mbeti tashmë me mijëra lëndë. Nëse nuk arrijmë të profilizojmë gjyqtarët, nuk mund të ketë efikasitet”, tha Tahiri, raporton EO.
Sipas Tahirit, Kosova ka krijuar ambient të shëndoshë që të adresohen problemet, sipas tij, edhe për mungesën e gjyqtarëve, do të shtohen kapacitetet.
“Sot vendi ka vetëm katër gjyqtar, por janë kapacitete shumë të ulëta, ne jemi duke ngritur numrin e gjyqtarëve, por për të adresuar çështjen e bizneseve ne kemi bërë edhe disa ligje, që këto do të ndihmojnë në biznese, rritet numri noterëve. Janë një mori masash që janë marrë dhe ky është vetëm fillimi jonë dhe duhet partneritet deri në përmbylljen e kësaj gjykate”, u shpreh Tahiri.
Në anën tjetër, dekani i fakultetit Juridik, Haxhi Gashi, tha se mos shqyrtimi i lëndëve në gjykata, bën që bizneset edhe të falimentojnë.
“Sfida që kemi parë ne është pritja e lëndëve që për personat juridik për bizneset sepse mos shqyrtimi i atyre lëndëve për një kohë të gjatë qon në falimentin të biznesit dhe humb interesin për të bërë biznes. Një prej sfidave të bankave ka qenë rritja e normave të interesit për shkak të mos funksionimit të vendimeve dhe koletarealit gjithashtu”, tha Gashi.
Ndërsa profesori i Fakultetit Juridik, Bedri Peci, dha ide që të krijohet edhe Gjykata Tatimore. Sipas tij, kontestet e natyrës komerciale dallojnë nga ato juridiko tatimore.
“Në Kosovë mendoj që duhet të ketë edhe gjykata tatimore, siç ekzistojnë edhe në shumë shtete të tjera. Kontestet e natyrës komerciale dhe atyre juridiko tatimore, nuk mund të marrin pjesë në gjykata të rregullta”, tha
Ky ishte një diskutim i hapur mes profesorëve dhe ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri. Ata dhanë sugjerime për një funksionim sa më të mirë të sistemit të drejtësisë, me theks të veçantë, gjykatave që duhet trajtuar lëndë ekonomike dhe komerciale.
https://www.facebook.com/EkonomiaOnline/videos/699523337114616/