Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri tani kanë pranuar 137 pako të supozuara me fletëvotime nga diaspora.
Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar zëdhënësi për media i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Deri këtë të hënë, KQZ ka pranuar 137 pako të supozuara me fletëvotime. Duke u mbështetur në ligj, KQZ do të pranojë fletëvotime më së largu deri më 13 dhjetor”, ka thënë Elezi.
Në Komunën e Dragashit është duke vazhduar periudha për përsëritjen e votimit për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të kësaj komune e cila ka filluar më 29 nëntor.
Të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm 1,090 votues jashtë Kosovës të komunës së Dragashit, të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021.
Në garë janë kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bexhet Xheladini dhe Shaban Shabani nga Partia Demokratike e Kosovës.